Arbërie Nagavci

Nagavci: Për shkak të mosrealizimit të punimeve janë shkëputur kontratat me katër kompani

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se për shkak të mosrealizimit të punimeve dhe mospërmbushjes së kontratave të nënshkruara janë shkëputur kontratat me katër operatorë ekonomikë, të cilët kishin fituar projektet për ndërtimin e shkollave dhe sallave të sportit në pesë komuna të Kosovës.

Nagavci tha se kur e ka filluar mandatin ka gjetur disa kontrata të lidhura për ndërtimin e shkollave, çerdheve dhe sallave sportive.

Ajo ka thënë se vlera totale e këtyre kontratave të ndërprera është 2 milionë e 151 mijë euro.

Ministrja ka njoftuar se kontratat e ndërprera janë këto:

– Për ndërtimin e shkollës “Model” në Pejë, e nënshkruar më 30.12.2020.

-Për ndërtimin e shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, e nënshkruar më 12.12.2019.

-Për ndërtimin e shkollës “Fan Noli” në Istog, e nënshkruar më 17.10.2019.

-Për ndërtimin e sallës së sporteve në shkollën “Naim Frashëri” në Vushtrri, e nënshkruar më 23.10.2020, dhe

-Për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në shkollën “Bajram Curri” në Petrovë të Shtimes, e nënshkruar më 19.12.2019.

Po ashtu, ajo ka thënë se për shkak të mosrealizimit të punimeve sipas planit, në proces të shkëputjes janë edhe pesë kontrata të tjera.

“Ftoj operatorët ekonomik të kontraktuar nga MASHTI që të respektojnë kushtet e kontratës, për të siguruar cilësinë e projekteve dhe për të shmangur vonesat që mund të ndikojnë negativisht në procesin mësimor. Në të kundërtën, do të ndërmarrim masa ligjore ndaj të gjitha kompanive që nuk respektojnë kushtet e kontratës”- është shprehur ajo.