Foto: Albin Kurti, X

Kurti në Mal të Zi takohet me përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së

Kryeministri Albin Kurti ka arritur në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, që mbahet në Kotorr.

Kurti ka publikuar fotografi nga takimet me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europë dhe Euroazi, James O’Brien, me komisionerin e BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, si dhe liderë të vendeve të rajonit.

Në platformën “X”, Kurti ka bërë të ditur se me liderët do të ketë diskutim për agjendën e reformës së Planit të Rritjes së BE-së dhe çështjet rajonale.

Po ashtu, sipas tij, do të diskutohet edhe për gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.

“Unë jam në Kotorr të Malit të Zi, për takimin e 3-të këtë vit të BB6 mbi Planin e Rritjes së BE-së së bashku me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Ne do të diskutojmë përparimin tonë në Agjendën e Reformës së Planit të Rritjes së BE-së dhe çështjet rajonale, duke përfshirë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve që kemi arritur në Procesin e Berlinit” – ka shkruar Kurti.

 

 

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti sonte do të marrë pjesë në darkën e liderëve, të shtruar nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ndërkaq nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.

Ky Samit gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë  për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, po mbahet në Kotorr të Malit të Zi nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”.

Kurti udhëton për në Mal të Zi për Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor