Pamje nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës - Foto: ZKM

70 Mijë Euro për Shënimin e Ditës së Pavarësisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka njoftuar se ka ndarë 70 mijë euro për ditën e Pavarësisë.

Më 17 Shkurt, Kosova shënon 9 vjetorin e Pavarësisë së saj.

Gjithashtu, Qeveria njoftoi se ka nënshkruar marrëveshje me Qeverinë austriake për marrjen e 30 milionë eurove hua. Me këto mjete priten të financohen trajtimet e ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pijes, në shëndetësi, arsim, bujqësi etj.

Përveç me Austrinë, Qeveria ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunime financiare edhe me Francën, Hungarinë, Bankën Evropiane etj. Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa i ka cilësuar këto marrëveshje si shumë të rëndësishme për vendin.

“Janë institucione perëndimore me të cilat ne po kthejmë bashkëpunimin dhe po krijojmë burime shumë të rëndësishme të investimit në Kosovë dhe është një verifikim i një përcaktimi të kësaj Qeverie për lidhjen edhe ekonomike, kulturore dhe për lidhjen tjetër me vendet e Bashkimit Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian”, tha Mustafa para kabinetit qeveritar.