Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com
61 Vjeçi Dënohet për Armëmbajtje pa Leje
61 vjeçi Ahmet Toqani është dënuar me tetë muaj burg me kusht për armëmbajtje pa leje.
Aktakuza e ngarkonte Toqanin se në shtëpinë e tij në Prishtinë mbante pa leje një pushkë gjuetie gjysmë-automatike të kalibrit 12.76 milimetra.
Pushka ishte e prodhimit turk, ndërsa nuk kishte fishekë.
Toqani në gjykatë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit publik Ilaz Beqiri e pranoi fajësinë për mbajtjen e armës ilegale.
Ai deklaroi se nuk ka mundur ta marrë lejen për mbajtjen e pushkes së gjuetisë.
“E pranoj fajësinë në mënyrë të vullnetshme. Në nëntor të 2015-ës kam aplikuar për leje, por nuk arrita ta dëshmoj”, tha Toqani.
Ai tregoi në gjykatë se ka probleme shëndetësore, në mënyrë që kjo bashkë me pranimin e fajësisë të merren si rrethana lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit.
Edhe prokurori Ilaz Beqiri kërkoi që gjykata t’i marrë parasysh për dënim më të ulët gjendjen shëndetësore të të akuzuarit dhe pranimin e fajësisë prej tij.
Pastaj gjyqtarja Suzana Çerkini e dënoi Ahmet Toqanin me tetë muaj burg me kusht.
Nëse nuk dëshiron të shkojë në vuajtje të dënimit prapa grilave, Toqani nuk duhet të kryejë ndonjë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëvë të ardhshëm.