Nehat Tërpeza, ushtrues detyre i drejtorit në shkollën fillore “Kadri Beba”, në fshatin Ribar i Madh në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Drejtori i shkollës në Ribar të Madh pretendon se u sulmua fizikisht nga prindi i një nxënësi

“Kam shku në pauzë me kry kohën e drekës, kur jam kthy, do të thotë pas pauzës, ai ka ardhë, më ka goditë, në orar të punës, në zyrë”.

Kështu ka deklaruar Nehat Tërpeza në lidhje me sulmin që dyshohet se u krye ndaj tij nga prindi i një nxënësi.

Nehat Tërpeza, ushtrues detyre i drejtorit në shkollën fillore “Kadri Beba”, në fshatin Ribar i Madh në komunën e Lipjanit, ka thënë se është sulmuar më 29.02.2024 pasi ai kishte raportuar në Polici djalin e prindit në fjalë.

Sipas Tërpezës, nxënësi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj shoqes së klasës dhe për këtë është suspenduar.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se e ka arrestuar të dyshuarin për sulmin ndaj drejtorit të shkollës, ndërsa Gjykata e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim.

Këtë sulm Drejtoria e Arsimit në Lipjan e ka dënuar dhe janë duke e trajtuar masën e shqiptuar ndaj nxënësit që ka sulmuar shoqen e klasës.

Familjarët e të dyshuarit, të kontaktuar nga KALLXO.com, nuk kanë pranuar të flasin rreth rastit.

Tërpeza në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se si kishte rrjedhur ngjarja deri te sulmi ndaj tij.

“Një prind më ka sulmu fizikisht rreth orës 15:30 në sallën e arsimtarëve. Deri te sulmi ka ardhë shkaku që fëmija i prindit është nxënës i klasës YY. Ai ka sulmu shoqen e klasës fizikisht, ka përdorë dhunë ndaj saj edhe nxënësja ka ardhë është anku tek unë” – ka thënë Tërpeza.

Pas kësaj, Tërpeza shpjegon se i ka kërkuar nxënësit që të largohet nga shkolla për të mos pasur ndonjë konflikt me prindin e vajzës, të cilin e ka njoftuar bashkë me prindin e nxënësit për të biseduar në lidhje me rastin që kishte ndodhur.

Në të njëjtën kohë, Tërpeza e ka konsideruar të rëndësishme që ta njoftojë edhe Policinë për këtë rast.

Policia e ka konfirmuar për KALLXO.com se më datë 29.02.2024 kanë ndodhur dy raste në shkollën “Kadri Beba”, duke shpjeguar se në rastin kur nxënësi ka sulmuar shoqen e klasës është inicuar rast – lëndim i lehtë trupor.

“Për rastin e parë i dyshuari dhe viktima janë nxënës të shkollës në fjalë. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore. Është iniciuar rast penal i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është proceduar në mënyrë të rregullt” – është përgjigjur Policia.

Kurse, për rastin ku dyshohet se është sulmuar drejtori i shkollës, Policia ka njoftuar se i dyshuari ndodhet në paraburgim.

“Në rastin e dytë viktimë është drejtori i shkollës në fjalë. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në bazë të autorizimeve që kemi. Është iniciuar rasti penal, dhe me datën e njëjtë (29.02.2024) është arrestuar i dyshuari i cili ishte ndaluar për 48 orë. Pas kalimit të afatit të ndalimit, Gjykata themelore i ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë” – kanë thënë Policia.

Gjykata e Prishtinës dhe Prokuroria po ashtu e kanë konfirmuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“Ju informojmë që Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ushtruar kërkesë për masën e caktimit të paraburgimit ndaj të dyshuarit, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar, nga neni 402 të KPRK-së. Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën dhe ka caktuar këtë masë në kohëzgjatje prej një muaji” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Sipas Tërpezës, nxënësi për të cilin bëhet fjalë ka pasur edhe raste të mëhershme kur ka ushtruar dhunë ndaj shokëve të klasës.

“Është hera e tretë e dhunës që ka përdorë nxënësi ndaj shokëve ose shoqeve të klasës së vet. Ka qenë një rast më herët kur nxënësi e ka goditë brenda orës së mësimit një nxënës tjetër, ia theu hundën dhe si pasojë ai ka pasë përfunduar në spital. Po ashtu një rast tjetër ka ndodhë më 20 tetor (2023) kur e godet një nxënës tjetër, edhe për këtë e kam njoftu prindin vazhdimisht, por tek një herë prindi ka qenë në shkollë, do të thotë dikun para një muaj dite na ka vizituar” – ka treguar Tërpeza.

Ai ka akuzuar prindërit e nxënësit se nuk kanë treguar interes që të informohen për rastet ku ka qenë i përfshirë djali i tyre.

Për shkak të gjendjes shëndetësore nxënësja, e cila është sulmuar, është trajtuar në Qendër për Punë Sociale nga psikologia.

Kurse, nxënësi që e kishte sulmuar atë është suspenduar për një muaj dhe ndodhet në shtëpi.

Tutje, Tërpeza ka theksuar se ai është sulmuar në orar të punës.

“Kam shku në pauzë me kry kohën e drekës, kur jam kthy, do të thotë pas pauzës, ai ka ardhë, më ka goditë, do të thotë në orar të punës, në zyrë. Punëtori teknik më ka dërgu deri në Emergjencë dhe e ka njoftu Policinë” – ka shtuar ai.

Ai po ashtu tha se kanë pasur një komunikim të shkurtë para sulmit dhe se prindi ka qenë i nevrikosur. Mirëpo, Tërpeza nuk mendon se nxënësi duhet të përjashtohet.

“Ai kërkoi sqarim pse unë, do të thotë e thërras Policinë në këtë rast, pse e denoncoj këtë rast të dhunës në Polici edhe unë kërkova që të ma liron ai sallën… dhe e njoftova që masat ndëshkuese mund të jenë një muaj suspendim ose transfer në shkollë tjetër. Shkollimi 1-9 është i obligueshëm, ne nuk mendojmë, unë si drejtor shkolle nuk mendoj që atë ta përjashtoj” – është shprehur ai.

Tërpeza ka bërë të ditur se në cilën pjesë ishte goditur nga prindi dhe për pasojë ai është duke u trajtuar me terapi mjekësore

“Ka qenë (goditja) mbrapa kokës, do të thotë në kokën mbrapa edhe në qafë këndej mbrapa, d.m.th. ka qenë jo ballafaqim drejtpërdrejt kështu, po në mënyrë si me thanë tinëzare” – tha ai.

Drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani, njoftoi se nxënësin do ta transferojnë në një shkollë tjetër.

“Do të gjenden metoda alternative që ai nxënës të mos dëmtohet komplet nga procesi (mësimor), të mos largohet, por forma tjera dhe sigurisht se një gjë e tillë është vështirë e menaxhueshme, por do të transferohet në ndonjë shkollë tjetër në mënyrë që t’i jepet mundësia ta përfundojë arsimin e obliguar” – ka deklaruar Hasani.

Përveç kësaj, ai ka njoftuar se do të konsultohen me Inspektoratin e Arsimit se si ta trajtojnë rastin në raport me nxënësin.

“Do të konsultojmë edhe Inspektoratin arsimor, në mënyrë që të mos veprojmë me nguti dhe të mos cenojmë të drejtat e askujt në këtë situatë. Ende nuk kemi raport zyrtar as nga Policia, përveç raporteve ose bisedave me drejtorin dhe këto ditë do të bisedojmë edhe me inspektorët, do ta ftojmë dhe do ta shohim se si munden edhe ata të involvohen në rast” – njoftoi Hasani.

Shkolla fillore “Kadri Beba” ka edhe një paralele në fshatin Zllakuqan, ndërsa numëron gjithsej 390 nxënës të klasave 1-9, duke përfshirë edhe dy grupe të nivelit parashkollor.