36 Vjet e Gjysmë Burg për Vrasjen e Zija Nukës

Luan Nuka dhe Ylber Krasniqi janë dënuar sot me burgim pasi Gjykata në Gjakovë i ka shpallur fajtorë për vrasjen e Zija Nukës.

Sipas aktakuzës, viktima ishte privuar nga jeta më 13 prill 2015 për shkak të një borxhi për marihuanën e blerë.

Në leximin e aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani tha se Luan Nuka shpallet fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë.

“I akuzuari Luan Nuka me shënime si në procesverbal është fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi me datën 13.04.2015 rreth orës 21:30 minuta në afërsi të lagjes “Koloni” te “Lugu i Qilit” me dashje kanë privuar nga jeta të ndjerin Zija Nuka, duke e goditur 14 herë me thikë e pastaj të njëjtin e kanë hedhur në një përroskë, i cili deri më datën 19.04.2015 nuk është gjetur”, tha kryetari i trupit gjykues.

Më tej, gjykatësi përshkroi veprën penale për të cilën është shpallur fajtor i akuzuari i dytë Ylber Krasniqi.

“I akuzuari Ylber Krasniqi është fajtor sepse në të njëjtën datë dhe të njëjtën kohë, dy ditë para rastit ka siguruar thikën nga dëshmitari, me të njëjten thikë është privuar nga jeta i ndjeri Zija, pastaj ka ndihmuar të akuzuarin Luan që trupin e viktimës ta hedhin dhe të fshehin gjurmët e veprës penale, me çka ka kryer vepër penale të ndihmës në vrasjen e rëndë”, shtoi gjykatësi Komani.

Më pas, gjykatësi Komani shqiptoi dënimet për dy të pandehurit.

“Të akuzuarin Luan Nuka dënim me burgim në kohëzgjatje prej 19 viteve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 29.04.2015. Të akuzuarin Ylber Krasniqi dënim me burgim prej 17 vite e 6 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 29.04.2015”, theksoi Nikollë Komani.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më parë për këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/arrestohen-dy-persona-per-vrasjen-e-zija-nukes/

http://kallxo.com/vrasja-per-borxhin-e-marijuanes/