Ilustrim

Një muaj paraburgim për zyrtarin policor, i dyshuar për dhunimin e të miturës

Gjykata e Gjakovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për zyrtarin policor E.S., i cili dyshohet se ka kryer dy vepra penale, atë të dhunimit dhe ngacmimit.

Në njoftim thuhet se në janar të 2022-tës, i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën i pandehuri ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021.

“Sipas kërkesës, “me datë të pa caktuar të muajit janar 2022, në shtëpinë e tij në Gjakovë, ka kryer marrëdhënie seksuale me personin tjetër, përkatësisht me të miturën …. …… e lindur 2006, me të cilën i pandehuri ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie, ndërsa në janar të vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e saj të re, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçe, me të ka kryer marrëdhënie seksuale”- thuhet në komunikatë.

“Me datë të pa caktuar të muajit nëntor 2023, i pandehuri edhe pse në dijeni se tashmë e dëmtuara …. …… është në lidhje tjetër dashurie, vazhdimisht i shkruan që ti kthehet lidhjes, sjellje kjo tek e dëmtuara e përciellur me shqetësim pasi që në dhjetor të vitit 2022, e kishte ndërprerë lidhjen”- njofton tutje Gjykata e Gjakovës.

Gjykata thotë se me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale – dhunimi, dhe – ngacmimi.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ju shmangur drejtësisë, duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale”- thekson Gjykata.

Në komunikatë thuhet se i pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 27 nëntor 2023 dhe do të zgjasë deri më 27 dhjetor 2023.