190 Milionë Euro për Rrugë Gjatë Këtij Viti

Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik rreth mungesës së transparencës për kontratat e autostradave, procesin e homologimit të automjeteve dhe projektet infrastrukturore.

Ministri raportoi për kilometrat e rrugëve të asfaltuara sivjet dhe koston e tyre.

“Nëse I shprehim në shifra, flasim për investime në vlerë afro 190 milionë euro gjatë vitit, kurse në kilometra flasim 261 kilometër rrugë, natyrisht shumica e investimeve kapitale shkojnë në autostradë e që janë 148 milionë euro,” tha Zharku.

Ministri foli për punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi”.

“Në Autostradën ‘Arbën Xhaferi’ është duke u vazhduar me punë pothuajse në tërë trasenë. Janë hapur 50 kilometra në trasenë e autostradës, 20 kilometra janë asfaltu, kanë përfunduar tetë mbikalime, 8 nënkalime të cilat janë lëshuar në qarkullim, ka përfunduar procesi i shpronësimit për segmentin e parë që njihet si C1 dhe C2 që është segmenti deri në Doganaj të Kaçanikut, është përgatitë edhe drafti final i projektit të fundit që është nga Doganaj të Kaçanikut në Han të Elezit,” tha Zharku.

Gjatë prezantimit të punës, ministri foli edhe çështje tjera-transportin, aviacionin, patentë shoferët dhe automjetet.

Deputeti Fatmir Rexhepi kërkoi sqarim nga ministri për mostransparencën rreth kontratave të autostradave.

“Në qoftë se ka mundësi, ministri jo sot, por kurdo që mundet, para parlamentit t’i sqarojë, pra transparencën edhe më tutje e që është mjegull e ka mbetur peng që nga 2008 e knej lidhur me kontratën për autostradën. Qoftë ajo që është bërë në 2008-ën me Fatmir Limajn, qoftë kjo që keni vazhdu ju tash në 2014-ën,” tha deputeti Rexhepi.

Rexhepi sqaroi më tutje se transparencën po e kërkon ngase bëhet fjalë për para të qytetarëve.

Ai kërkoi të dijë nëse qeveria ka marrë ndonjë vendim rreth eliminimit të monopolit në procesin e homologimit të makinave.

“Pse po e lejoni dhe nuk po i drejtoheni Kushtetueses për çështjen e kontratave të mëhershme, monopoleve. Tetë vjet janë nënshkruar kontrata, 10 vjeçare janë kontratat. Në qoftë se janë antikushtetuese, pse jeni vonu dhe pse nuk keni lyp nga institucionet relevante që juve ju ndihmojnë, për shembull e kemi çështjen e kontratës së homologimit të veturave. A është apo  s’është monopol? Në qoftë se është tregoni që është, në qoftë se nuk është thuni nuk është,” tha Rexhepi.

Në përgjigjën e tij ministri Zharku tha se nuk është i autorizuar të konstatojë se a janë kontratat rreth homologimit në pajtim me kushtetutën, por tha se në kohën kur është dhënë autorizimi për to është bërë në përputhje me udhëzimin administrativ të asaj kohe.

Deputeti Faton Topalli, pyeti për projektin e përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për hekurudhat.

Për t’u lidhur Kosova e Shqipëria me linjë hekurudhore, Kosovës i duhen edhe 17 kilometra, ndërsa Shqipërisë 108.

Ministri Zharku tha se në Samitin e Berlinit kushti i parë për të përfituar nga ndonjë projekt ka qenë që ata që e paraqesin atë të zotohen për sigurimin e mjeteve.

Sipas Zharkut Shqipëria nuk ka qenë e gatshme të zotohet për 1 miliard euro sa kushton ndërtimi i hekurudhës drejt Kosovës në pjesën e saj, ndërsa Kosova nuk e ka pasur problem zotimin për 200 milionë euro për kilometrat e saj drejt lidhjes me Shqipërinë.

Deputeti Besim Beqaj tha se në autostradën në drejtim të Shqipërisë po dëmtohet ekonomia, pasi nuk janëfunksionale pikat e karburantit dhe gjërave tjera.

“Mirëmbajtja e autostradës në drejtim të Shqipërisë dhe heqja e shumë dilemave sa i përket edhe e mirëmbajtjes, por pse jo edhe funksionimit të pikave të cilat janë të parapara për karburante dhe gjana të tjera, sepse jemi duke e dëmtu ekonominë e Kosovës,” tha Beqaj

Në këtë mbledhje pati edhe “përplasje” në mes të deputetit të Lëvizjës “Vetëvendosje” Faton Topalli dhe kryetarit të Komisionit Muhamet Mustafa sa i përket kërkimit të fjalës nga ky deputet.