Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës - ShSKUK

Menaxhmenti i SHSKUK-së ankohet se drejtorët e klinikave dhe spitaleve nuk dinë të raportojnë

Bordi dhe drejtori i SHSKUK-së në vazhdimësi janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e raportimit nga drejtorët e klinikave, spitaleve dhe njësive të tjera organizative.

Vonimi i raporteve tre-mujore të punës dhe raportimi i pasaktë janë ankesa të përsëritura të menaxhmentit ndaj drejtorëve.

Në mbledhjen e bordit të mbajtur të më 29 nëntor, anëtari i bordit, Dren Boshnjaku shprehu shqetësimin e tij që pavarësisht këshillave që u kanë dhënë, raportimi vazhdon të jetë i njëjtë.

Ai madje tha se në bazë të bisedave të tij me disa drejtorë e sheh se ata nuk dinë të raportojnë.

“Pavarësisht këshillave, nuk po ndërron mënyra e raportimit. Nëse raporti nuk është i bazuar në evidenca dhe është i pasaktë, mundësia që na me gabu në vendime rritet” – u shpreh Boshnjaku.

“Kanë problem me i ditë indikacionet, nuk dinë me raportu, thotë 10 vjet kështu kemi raportu, kurrkush s’na ka thanë kurrgjë” – ka shtuar anëtari i bordit.

Kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi tha se këto janë aftësi të dobëta menaxheriale dhe se raportet janë të stërvonuara.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK), Elvir Azizi në një mbledhje me bordin në shtator pati thënë se kanë pasur vështirësi prej të gjitha njësive në raportim dhe se ua ka tërhequr vërejtjen që të mos ketë më vonesa.

Në mbledhjen e fundit, Azizi tregoi se janë duke formuar listën me të gjitha shërbimet që ofron ky institucion.

Drejtori tha se kjo ka qenë sikur ping-pong mes drejtorisë së përgjithshme dhe njësive të SHSKUK-së, për shkak të emërtimeve të shërbimeve.

“Deri tash ka qenë katrahurë me emërtimet e shërbimeve, kemi pasur problem me njësitë që s’i kanë quajt qysh duhet” – tha Elvir Azizi.

Hartuesi i raportit 6-mujor të punës së SHSKUK-së, Sali Bllaca pati thënë në njërën prje mbledhje se ka raste që menaxherët e njësve nuk e dinë as vetë se çfarë shërbime ofrojnë.

Në punëtorinë që kishte mbajtur Bordi i SHSKUK-së lidhur me raportet e punës nga njësitë e institucionit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala pati thënë se do të ishte mirë që të mbahej një trajnim me drejtorët dhe zyrtarët përgjegjës për grumbullimin e të dhënave në mënyrë të duhur, për përgatitjen e raporteve.

Me këtë propozim, që ishte dhënë në një punëtori të organizuar nga Bordi i SHSKUK-së në fillim të nëntorit, ishte pajtuar edhe Naim Bardiqi.