Ministri Çeku raporton në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave për stadiumin e Mitrovicës, Gjilanit e Gjakovës

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës lidhur me renovimin e stadiumeve në Mitrovicë, Gjilan e Gjakovë.

Bashkë me ministrin Çeku në Komision raportuan edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe zyrtarë nga komuna e Mitrovicës dhe Gjakovës, si dhe zyrtarë nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

ZKA ka hartuar një raport lidhur me këto stadiume ku edhe ishin evidentuar parregullsi dhe mangësi për renovimin e tri stadiumeve për gjatë viteve. Mungesa e projekteve zbatuese, mungesë të lejeve të punës, problemet me kontratat, mos seriozitet të autoriteteve kontraktuese, çështja e shpronësimeve e papërgjegjësi të punëkryesve, janë disa nga shkeljet e evidentuara në raportin e ZKA-së për këto stadiume.

Raportimi i ministrit u përcoll edhe me akuza nga deputetët opozitarë, anëtarë të Komisionit, se nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital në prag të përfundit të mandatit dhe se po favorizohet financimi i stadiumit të komunës që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij.

Çeku para Komisionit bëri të ditur se MKRS në bashkëpunim me komunat përkatëse është duke punuar për përfundimin e restaurimit të këtyre stadiumeve.

Ministri Çeku tha se buxheti për renovimin e këtyre stadiumeve është siguruar, vetëm sipas tij priten procedura e nevojshme administrative për nisjen e punimeve për renovimin e këtyre stadiumeve. Sipas tij, puna për të filluar renovimi për stadiumin e Gjilanit dhe “Adem Jashari” në Mitrovicë janë në përfundim.

Ai tha se për renovimin e stadiumit të Gjilanit janë ndarë 15 milionë euro, rreth 4 milionë euro për restaurimin e stadiumit në Gjakovës dhe 12.5 milionë euro për atë të Mitrovicës.

“Në buxhetin e MKRS në KASH janë rreth 4 milionë euro të dedikuara për përfundimin e punimeve në stadiumin në Gjakovës, ngjashëm sikurse në rastin e Gjilanit, ndonëse në Gjakovë e kemi projektin zbatues dhe një pjesë e punimeve janë duke vazhduar nga komuna për pjesën që ka qenë e zotuar MKRS paraprakisht do të nënshkruajmë marrëveshje ku minstria siguron financimin, ndërsa komuna procedurat e prokurimit për kontraktimin e kontraktorit për përfundimin punimeve”- tha ai.

Por, shuma e ndarë nga MKRS për punimet në stadiumin e Gjakovës është konsideruar diskriminuese nga deputetja Albana Bytyçi. Sipas saj, ministria po e favorizon ndërtimin e stadiumit të Gjilanit, vetëm se e ka bashkëpartiak.

“Për Gjilanin i keni nda 15 milionë për stadium, për Mitrovicën 12 milionë, e për Gjakovën 4 milionë, a banë me ditë pse kaq dallim të madh të buxhetit, a po e shihni që kryetari i komunës së Gjilanit është shumë punëtor, apo cila është arsyeja, t`u e ditë që kryetari i Gjilanit përmendet si më pa punëtori (dembeli) në këtë Kosovë”- tha deputetja Bytyçi, e cila mori reagimet e deputetëve të pozitës, anëtarë të komisionit.

Ndërsa, deputetja Hykmete Bajrami kërkoi nga ministri Çeku të dijë rreth penalizmit të operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm. Ajo kërkoi nga ministri të dijë sa për qind e buxhetit për investime kapitale është shpenzuar për 2023-tën. “I keni përfunduar tri vjet mandat dhe nuk kemi projekt që e keni fillu dhe përfundu, është dashur që të filloni ndonjë projekt në infrastrukturë”- tha Bajrami.

Çfarë u tha për stadiumin në Gjilan, Gjakovë e Mitrovicë?

Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit tha se ndërtimi i stadiumit të Gjilanit, mund të nisë në muajin mars, pasi siç tha ai, deri atëherë do të rrumbullakohet gjithë procedura tenderuese për këtë stadium.

“Tashmë jemi në fazën finale të lëshimit të lejes për ndërtimin e stadiumit me ç`rast me lidhjen e kontratës do të jemi të gatshëm edhe që të deponojmë edhe lejen e ndërtimit. Nëse çdo gjë shkon mirë besoj se brenda këtij muaji do të lidhet kontrata e stadiumit të qytetit”- tha Hyseni.

Durim Halilaj nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Gjakovës, tha se punimet për stadiumin janë duke vazhduar me buxhet vetanak. “Tani jeni në pritje që të shkojmë edhe në fazën e katërt, projekti është i detajuar dhe është i rregulluar me MKRS-në dhe UEFA-n dhe është i kategorisë së katërt”- tha Halilaj.

Edison Tërnava, drejtor i Urbanizimit në Komunën e Mitrovicës, tha se janë në koordinim me MKRS-në për të evidentuar mangësitë dhe janë në pritje të një përgjigjeje për çështjen e pronave të ndërmarrjes Trepça. “Ne do të vazhdojmë me përfundimin e shpronësimit të pronave komunale, ndërsa sa i përket pronave në pronësi të ndërmarrjes Trepça SHA dhe Trepça NP, që është numër  mjaft i madh jeni në pritje të një përgjigje nga MKRS”- tha Tërnava.

Gjatë këtij raportimi deputetët anëtarë të komisionit kërkuan të dinë edhe gjendjen e stadiumeve tjera në Kosovë.