15,884 Euro Komisionit të Demarkacionit

Shqyrtimi i propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve financiare për Zyrën e Presidentit për pagesën e anëtarëve të komisionit ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ishte pika e nëntë e rendit të ditës në mbledhjen sotme të qeverisë.

Propozimin për ndarjen e mjeteve dhe shumat e pagesës për anëtarët e komisionit e bëri ministri i FSK-së Haki Demolli.

Propozimi përfshiu shpenzimet e akomodimit, udhëtimit dhe pagesat e anëtarëve ndërkombëtarë të komisionit.

“Bazuar në kërkesën e Zyrës së Presidentit më 14 prill 2016 për shumën 15.884 euro për pagesën e anëtarëve për mbulimin e shpenzimeve për anëtarët e komisionit ad hoc. Mbulimin e shpenzimeve të akomodimit 2700 euro, mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit 2600 euro dhe kompensimin e ekspertëve 10 e 500 euro që ndahen nga rezervat e qeverisë dhe barten në Zyrën e Presidentit,” tha ministri Demolli.

Më pas këto mjete për komisionin u miratua.

Komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë për demarkacionin Kosovë-Mali i Zi në raportin e paraqitur më 30 mars përcaktimin e kësaj vije kufitare e cilësoi pa shkelje.

http://kallxo.com/raporti-plote-per-demarkacionin-dokument/

Qeveria sot kishte në rend dite edhe 13 pika tjera të rendit të ditës, nga të cilat nuk u miratua vetëm plotësim ndryshimi i vendimit të qeverisë për emërimin e anëtarëve në Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Sot u miratua edhe propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të qeverisë sa datës 27 janar 2012, i plotësuar dhe ndryshuar me vendim të qeverisë më datë 21 nëntor 2012.

Ky vendim lidhet me komisionin për verifikimin e veteranëve.

“Sa është numri i veteranëve që vijnë në obligim. Kemi problem edhe me FMN-në për qëndrueshmëri financiare, por për këtë nuk mund të flasim në këtë mbledhje,” tha Mustafa.

U vendos që komisioni për veteranët ta kryejë punën e tij deri më 21 maj.