10 të Lënduar në Aksidentin Zinxhiror

Dhjetë persona janë lënduar në aksidentin zinxhiror që ka ndodhur sot rreth orës 9:45 në magjistralen Prishtinë – Fushë-Kosovë. Të gjithë të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK.

Daut Hoxha, nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, e ka konfirmuar rastin për KALLXO.com, duke thënë se Polica ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po heton shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

“Një aksident ku janë të involvuar 5 automjete ka ndodhur në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë. 10 persona janë të lënduar. Këta janë transportuar në Qendrën Klinike për trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, është duke u marrë me rastin, është duke i hetuar të gjitha rrethanat dhe shkaqet që kanë sjelli deri tek aksidentit”, tha Hoxha.

KALLXO.com ka tentuar të marrë informacione edhe nga QKUK-ja për të ditur gjendjen e të aksidentuarve që janë duke u trajtuar por kontakti me ekipet kujdestare dhe Zyrën për Informim të QKUK-së ka qenë i pamundur.

Ekipi i KALLXO.com sjell pamje nga vendi i aksidentit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka shfrytëzuar këtë aksident për t’u bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u kushtojnë rëndësi pjesëmarrësve të tjerë në trafik.