Kryeministri Albin Kurti duke bërë homazhe te varri i komandantit të UÇK-së, Ilir Konushevci, Foto: ZKM

Kurti për komandantin Ilir Konushevci: Pushkët e lirisë që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e Ilirit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në kryeqytet në mëngjesin e datës 09.05.2024, duke nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilir Konushevci dhe të doktorit Hazir Mala.

Në 26-vjetorin e rënies së komandantit Konushevci, Kurti e ka shquar atë si komandant të UÇK-së që kishte një barrë të dyfishtë, njëra ndër to se kishte pasuar udhëheqjen e UÇK-së, pas komandantit Zahir Pajaziti.

Ndërsa, barra e dytë e Konushevcit sipas Kurtit, ishte furnizimi me armatim i Kosovës nga Shqipëria.

“Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997. Ndërkaq, në anën tjetër duhej që pa numër herë, sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sjellte armatim nga Shqipëria në Kosovë. Pushkët e lirisë që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm” – ka thënë Kurti, sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas Kurtit, bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Konushevci është emër i artë i në historinë moderne të Kosovës. Andaj, ai u ka uruar lavdi atyre dhe të gjithë dëshmorëve tjerë.

“Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës, e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë tonë si popull. Lavdi, Ilir Konushevcit, doktor Hazir Malës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit” – ka theksuar Kurti.

Përveç kryeministrit Kurti, në homazhe e kanë shoqëruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci dhe Enver Dugolli.

Kryeministri Albin Kurti duke bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, Foto: ZKM