Pasuria e Lutfi Hazirit, i rizgjedhur në krye të LDK-së në Gjilan

Kuvendi zgjedhor i LDK-së në Gjilan ka rizgjedhur për kryetar, Lutfi Hazirin, në Komunën e Gjilanit.

Ishte vetë Lidhja Demokratike e Kosovës që ka treguar se janë mbyllur me sukses kuvendet e LDK në disa qytete.

Haziri është ri-zgjedhur sërish në krye të degës së LDK-së në Gjilan.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri del të jetë një prej kryetarëve më të pasur në vend.

KALLXO.com ju sjell pasurinë e Hazirit të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Kjo pasi që siç ka deklaruar ai në Agjencinë Kundër Korrupsion(AKK), si pasuri të paluajtshme posedon 13 toka të trashëguara nga prindi i tij, përveç njërës që ka blerë vet dhe një banesë në emër të tij që kap vlerën 100 mijë euro.

Që si rrjedhojë krahasuar më vitin e kaluar, ai kishte deklaruar 11 pasuri të paluajtshme.

Në pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar vetëm një veturë të markës Hyunday Matrix që kushton 3 mijë euro, e që e njëjta është në emër të bashkëshortes së tij.

Përveç pasurisë së madhe të paluajtshme, familjes Haziri i janë shtuar edhe llogaritë bankare.

Këtë vit me llogari bankare janë bërë katër fëmijët e tij, e që si rrjedhojë një llogari posedon 1 mijë e 782 euro, njëra 1 mijë e 914 euro, tjetri fëmijë ka 6 mijë e 950 euro në bankë dhe në tjetrën llogari i kanë 5 mijë e 145 euro.

Para të gatshme poashtu, ka deklaruar së në llogarinë bankare të tij ka 113 mijë euro dhe në të tjetrën 13 mijë e 182 euro, ndërsa bashkëshortja e tij 7 mijë e 752 euro.

Në të hyrat vjetore ai ka deklaruar së si kryetar i Gjilanit ai merr 15 mijë e 512 euro. Gjithashtu, familja e tij ka të ardhura edhe nga shteti i Zvicrës. Prindi i tij merr pension nga ky shtet më vlerë 1 mijë e 102 euro dhe pensioni në Kosovë 90 euro.

Gjithmonë sipas asaj që është deklaruar, Haziri merr 932 euro nga mëditjet dhe shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit.

Në anën tjetër, bashkëshortja e tij merr pagë 600 nga ansambli Shota.

KALLXO.com është duke publikuar deklarimet e pasurisë, të cilat mund të i lexoni në këtë link.