Antikorrupsioni konstaton se emërimi eventual i Arben Ismailit si Kryeprokuror i Shtetit bie ndesh me Ligjin për Konflikt të Interesit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka nxjerrë opinion ligjor lidhur me emërimin e ish-anëtarëve të Këshillit Prokurorial në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Një opinion i tillë erdhi pas kërkesës së KPK-së për interpretim ligjor para konfirmimit të listës për garën për Kryeprokuror të Shtetit.

Sipas opinionit të Agjencisë, emërimi eventual i ish-anëtarëve të KPK-së në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pa kaluar afati prej dy vjetëve nga përfundimi i mandatit në KPK, bie ndesh me Ligjin për Konflikt të Interesit.

Sipas konstatimit të AKK-së, dy nga gjashtë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, statusi i të cilëve është konfirmuar nga KPK-ja, kanë qenë anëtarë të përbërjes së kaluar të KPK-së.

Kandidati Arben Ismaili, prokuror në Prokurorinë e Apelit, ka qenë anëtar i KPK-së deri në muajin dhjetor 2020, ndërsa kandidati Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale, ka qenë anëtar i KPK-së deri në muajin shkurt 2019.

Rrjedhimisht nga këto të dhëna, në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se për kandidatin Arben Ismaili nuk ka kaluar periudha prej dy vjetëve pas përfundimit të mandatit si anëtar i KPK-së, ndërsa për kandidatin e konfirmuar Blerim Isufaj, ka kaluar kjo periudhë.

Pra Agjencia ka gjetur se sa i përket kandidatit Arben Ismaili vlen kufizimi i përcaktuar me Ligjin për Konflikt të Interesit, pasi që Ismaili që aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Apelit, ka qenë anëtar i KPK-së deri në muajin dhjetor 2020, çka nënkupton  se nuk ka kaluar periudha prej dy vjetëve pas përfundimit të mandatit si anëtar i KPK-së.

Konkretisht, në kërkesën e parashtruar për procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, janë ngritur pretendime nëse ka konflikt të interesit apo nëse nuk bie ndesh me LPKI-në për disa raste si:

  • Kandidatura dhe zgjedhja e ish kryesuesit Blerim Isufaj i zgjedhur Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, tanimë kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit
  • Dy kandidaturat edhe në këshillin e mëparshëm edhe në përbërje të këtij këshilli, e ish anëtares së Prokurorisë së Gjakovës për Kryeprokurore të Prokurorisë së Gjakovës
  • Pozita e anëtarit të KPK-së respektivisht kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku, po ashtu edhe deklarimi i tij në publik si kryesues i panelit intervistues, për marrjen e opinionin nga AKK për konfliktin e mundshëm të interesit
  • Kandidatura e Arben Ismaili për Kryeprokuror të Shtetit, apo eventualisht për Kryeprokuror të ndonjë prokurorie respektive në Kosovë

Në kërkesën për interpretim ligjor është theksuar se ish kryesuesi Blerim Isufaj, pas përfundimit të mandatit të kryesuesit të KPK-së në vitin 2019, ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të KPK-së, dhe në po të njëjtin vit nga KPK-ja është zgjedhur Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Po ashtu, në kërkesën për interpretim ligjor është konstatuar se ish prokurorja e Prokurorisë së Gjakovës në vitin 2020 ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtares së KPK-së, dhe me pas e njëjta i është nënshtruar dy herë intervstimit për Kryeprokurore të Prokurorisë së Gjakovës, gjë e cila nuk është kontestuar as nga përbërja e kaluar e as nga aktualja.

Siç është theksuar tutje në kërkesë, anëtari i KPK-së i cili tanimë është kryesues i këtij institucioni, Jetish Maloku, para vitit 2016 ka qenë anëtar i KPK-së, ndonëse siç thuhet në kërkesë, sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial, parashihet që anëtarët e KPK-së qëndrojnë në detyrë për një mandat 5-vjeçar, pa të drejtë ri zgjedhjeje.

Lidhur me këto çështje, sa i përket ish-anëtares së KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Gjakovës, Agjencia ka konstatuar se nuk është gjetur se e njëjta është emëruar si Kryeprokurore e Prokurorisë së Gjakovës.

Kurse sa i përket pretendimit lidhur me kryesuesin e KPK-së, Jetish Maloku, Agjencia ka konstatuar se çështja e mandatit të kryesuesit të KPK-së dhe e deklarimit të tij në publik për çështje të caktuara, nuk rregullohet me dispozitat e LPKI-së.

Për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit kanë aplikuar Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale; Arben Ismaili, prokuror në Prokurorinë e Apelit; Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit si dhe Lulzim Sylejmani, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.