Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Pasuria e shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar vlerën e pasurisë së deklaruar të zyrtarëve publikë për vitin 2023.

Pasurnë në AKK e kanë deklaruar edhe shefat e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, si Mimoza Kusari Lila nga LVV, Abelard Tahiri nga PDK, Arben Gashi nga LDK dhe Besnik Tahiri në AAK.

Kusari Lila sipas deklarimit, vitin e kaluar ka blerë një banesë rreth 63.50 metra katrorë, në vlerë prej 78 mijë eurove të cilën ajo e ka blerë përmes kredisë.

Tek pasuria e paluajtshme, deputetja e LVV-së gjithashtu në pronësi të përbashkët e ka të deklaruar banesë në vlerë prej 180 mijë euro, dhe një shtëpi në pronësi të bashkëshortit, në vlerë 65 mijë euro.

Para të gatshme në bankë, Kusari Lila ka të deklaruara 3 mijë e 390 euro.

Ajo gjithashtu në nëntor të vitit të kaluar, ka bërë një donacion prej 750 eurove në partinë politike “Aletrantiva”, subjekt të cilin ajo e udhëheq.

Tek të ardhurat vjetore, deputetja ka deklaruar pagë vjetore neto mbi 26 mijë euro dhe mëditje e udhëtime zyrtare jashtë vendit, rreth 3 mijë euro.

Deklarimin e plotë të Kusari Lilës mund ta gjeni në këtë link.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në AKK ka deklaruar se posedon një shtëpi në vlerë prej 500 mijë eurove. Sipas të dhënave në AKK ai gjithashtu ka një tokë, shtëpi dhe lokale afariste me njësi banimi të përbashkëta.

Para të gatshme në bankë, Tahiri ka të deklaruara rreth 9 mijë e 740 euro para të gatshme.

Deputeti i PDK-së, në AKK ka treguar se ka një detyrim financiar në një bankë prej 80 mijë eurove, për investim në shtëpi në Graçanicë dhe ndërtim të shtëpisë në Shtërpcë.

Tahiri, tek të ardhurat vjetore, ka deklaruar se ka një pagë vjetore prej 24 mijë e 777 euro, si dhe qira nga objekti afarist në vlerë prej 20 mijë e 400 euro.

Deklarimin e plotë Tahirit mund ta gjeni në këtë link.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në AKK ka deklaruar se ka një veturë të tipit Mercedes Benz, çmimi 8 mijë euro, të cilën e ka blerë nga kursimet.

Të pasuritë e paluajtshme, Gashi ka deklaruar një shtëpi në vlerë 180 mijë euro e cila është e përbashkët.

Ndërkaq, para të gatshme në bankë, deputeti i LDK-së ka mbi 25 mijë euro, të cilat sipas deklarimit vijnë nga kursime të përbashkëta familjare.

Të ardhura vetore, Gashi ka deklaruar se ka një pagë vjetore 24 mijë 197 euro.

Deklarimin e plotë të Gashit e gjeni në këtë link.

Kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka në pronësi dy shtëpi, një në vlerë prej 195 mijë euro e blerë me kredi dhe kursime familjare dhe tjetra në vlerë 70 mijë euro, e blerë me kursime familjare.

Tahiri i AAK-së, tek pasuria e luajtshme ka të deklaruar një veturë “Audi” në vlerë prej 36 mijë euro.

Para të gatshme në bankë, deputeti ka 19 mijë euro.

Tahiri, në AKK ka treguar se ka një detyrim financiar në një bankë prej 98 mijë e 442 eurove, për blerje të shtëpisë.

Të ardhurat vjetore, deputeti i AAK-së ka deklaruar se ka pagë vjetore 25 mijë e 676 euro dhe mëditje 3 mijë e 761 euro.

Deklarimin e plotë të Besnik Tahirit mund ta gjeni në këtë link.