Ilustrim

Si të kujdesemi për shëndetin mendor gjatë pandemisë?

Një libër i mirë, një fjalim kualitativ, stërvitjet fizike, jogat, bisedat virtuale me shoqërinë, janë vetëm disa nga aktivitetet relaksuese të cilat mund të ndikojnë në të mirën e shëndetit mendor gjatë pandemisë.

Përhapja globale e CoVid-19 ka bërë që njerëzit të përjetojnë stres psikologjik, të shkaktojnë panik dhe t’i kushtojnë pak rëndësi shëndetit të tyre. Por kjo gjendje mund të tejkalohet duke ndjekur fjalimet për shëndetin mendor në TED Talks nga psikologë, autorë, njerëz të suksesshëm, filantropistë, duke lexuar libra që orientojnë në rrugën e duhur psikologjinë tuaj, dhe të merreni me aktivitete fizike dhe atraktive.

Susan David, psikologe, në një intervistë për TED se si të bëjmë më të mirën për veten gjatë pandemisë tha se bukuria e jetës është e pandashme nga brishtësia e saj. Sipas saj nuk ka formulë magjike që merret me traumat apo krizat por ka shumë mënyra të shëndetshme për t’i përballuar ato. Tri shtylla kryesore për të përballuar në kohë krize janë: lidhja me familjen dhe shoqërinë sepse vetmia forcon tendencën për emocione dhe mendime negative; kontributi juaj si vullnetar për njerëzit që kanë nevojë dhe dhembshuria ndaj njerëzve të cilët nuk janë në gjendje t’i kontrollojnë mendimet dhe ndjenjat gjatë kësaj krize pandemike.

Pas shpalljes së pandemisë botërore, Departamenti i Psikologjisë së Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë edhe studentët e nivelit master të programit Psikologji Shkollore dhe Këshillim, ka zhvilluar disa materiale psiko-edukuese, të cilat shërbejnë si lehtësues potencial të distresit psikologjik, që mund të përjetojnë qytetarët gjatë pandemisë apo për shkaqe të tjera. Këto materiale ofrojnë seanca dhe ushtrime psikoedukuese dhe relaksuese të ilustruara me video si “Të kuptuarit dhe menaxhimi i stresit”, “Të kuptuarit dhe menaxhimi i ankthit” dhe “Kontrollimi i mendimeve brengosëse”. Videot, përpos informimit, japin hapat konkret se si mund t’i adresoni këto gjendje psikologjike.

Kolumnisti i “The Times” David Brooks në një artikull për shëndetin mental gjatë pandemisë ka shënuar se është vështirë të dijmë saktë mbi gjendjen psikologjike të popullsisë gjatë kësaj situate. Por e dijmë se këto janë momentet ku vërehet solidariteti, sepse njerëzit po kontrollohen nga njëri-tjetri.

Një studim i Samantha Brooks nga “King’s College London” zbulon se karantina po prodhon një sërë rezultatesh të këqija të shëndetit mendor, përfshirë traumën, konfuzionin dhe zemërimin. E gjitha kjo po shkaktohet si pasojë e mendimeve të thella gjatë gjithë kohës dhe mungesa e aktiviteteve të përditshme. Sipas saj shumica e këtyre po ndodhin nga konsumimi i panevojshëm mediave dhe i lajmeve negative. Izolimi social, humbja e vendit të punës, ndalimi i shëtitjeve, vizitave dhe aktiviteteve tjera kanë paraqitur probleme psikologjike dhe si pasojë e këtyre është rritur abuzimi, përdorimi i alkoolit dhe ilaçeve dhe rastet e dhunës në familje.

Sipas Brooks shëndeti psikologjik në kohë krize është si një ndeshje mundjeje. Situata hedh stresorë tek ju. “Pyetja është se a janë  mekanizmat tuaj të përballimit mjaft të fortë për t’i tejkaluar ato”. E këta mekanizma mund të përforcohen duke përdorur mediat në mënyrë pozitive, të ushtrojnë aktivitete fizike dhe joga, të merren me aktivitetet që i bëjnë të ndjehen mirë si: leximi, pikturimi, shkrimi, eksplorimi në histori, kulturë, art, gjeografi apo bisedat online me miqtë.

Autori Mark Manson në kryeveprën e tij “The Subtle Art of Not Giving a F*ck”  këshillon  që t’i njohim kufizimet tona dhe t’i pranojmë ato. Sipas tij së pari ne përqafojmë frikërat, gabimet dhe pasiguritë tona, pastaj ndalojmë vrapimin, shmangemi dhe  fillojmë të ballafaqohemi me vërtetat e dhimbshme dhe pastaj mund të fillojmë të gjejmë guximin, këmbënguljen, ndershmërinë, përgjegjësinë, kuriozitetin dhe faljen që kërkojmë. Ky libër është një ndër librat më të mirë për t’u lexuar në këto rrethana.

Ndërsa, për pasigurinë David Brooks shkruan se  kjo pandemi ka përhapur një ndjenjë ekzistenciale negative pasigurie. Pasiguria e ndryshon sistemin tuaj nervor, duke ndryshuar mënyrën se si shihni dhe perceptoni kërcënimin. Mënyra më e mirë për të luftuar këtë ndjenjë viscerale të frikës dhe shkëputjes është të kesh atë që Bonnie Badenoch, autori i librit  “Zemra e Traumës”, e quan “përvoja diskonfirmuese”. Këto përvoja janë bisedat reciproke me njerëzit që iu bëjnë të ndiheni të sigurt të dhe tejkaloni frikën dhe pafuqinë. Ekspertët kanë paraparë që edhe pse nuk mund të keni afër bashkëbiseduesin ju mund të shihni fytyrën e personit  dhe të dëgjoni tonin përmes rrjeteve sociale dhe kjo ka efekt të madh. Sipas doktorit Van der Kolk interneti është një variabël i rëndësishëm gjatë pandemisë dhe mënyrë e re për të ngushëlluar njëri-tjetrin.