Studimi - Një test gjaku mund ta revolucionarizojë diagnozën e Alzheimerit

Një test gjaku për zbulimin e sëmundjes së Alzheimerit mund të jetë po aq i saktë sa punksionet lumbare të dhimbshme dhe invazive dhe mund ta revolucionarizojë diagnozën e gjendjes, sugjeron një hulumtim i publikuar në Jama Neurology.

Matja e niveleve të një proteine të quajtur p-tau217 në gjak mund të jetë po aq e mirë sa punksionet lumbare në zbulimin e shenjave të Alzheimerit, dhe më mirë se një sërë testesh të tjera në zhvillim, thonë ekspertët e hulumtimit.

Proteina është një indikator për ndryshimet biologjike që ndodhin në tru me sëmundjen e Alzheimerit.

Në studimin e kryer me 786 njerëz, studiuesit ishin në gjendje të përdornin testin ALZpath p-tau217 për t’i identifikuar pacientët si të mundshëm, të ndërmjetëm ose me pak gjasa të kenë sëmundjen e Alzheimerit.

Dr Richard Oakley, drejtor i asociuar i kërkimit dhe inovacionit në Shoqërinë e Alzheimerit, thotë se “Ky studim është një hap jashtëzakonisht i mirëpritur në drejtimin e duhur pasi tregon se testet e gjakut mund të jenë po aq të sakta sa testet më invazive dhe të shtrenjta për të parashikuar nëse dikush ka tipare të sëmundjes Alzheimer në trurin e tij”.

“Për më tepër, (studimi) sugjeron se rezultatet nga këto teste mund të jenë mjaft të qarta për të mos kërkuar hetime të mëtejshme për disa njerëz që jetojnë me sëmundjen Alzheimer, gjë që mund ta përshpejtojë rrugën e diagnostikimit në mënyrë të konsiderueshme në të ardhmen. Megjithatë, ende duhet të shohim më shumë kërkime nëpër komunitete të ndryshme për të kuptuar se sa efektive janë këto teste gjaku për të gjithë ata që jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit”.

Aktualisht, mënyra e vetme për të vërtetuar se dikush ka një grumbullim të proteinave në tru është të kryejë një punksion lumbal ose një skanim PET amiloid, të cilat janë të disponueshme vetëm në rreth një në 20 klinika të kujtesës të Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë. Një punksion lumbal përfshin një gjilpërë që futet në pjesën e poshtme të shpinës, midis kockave në shtyllën kurrizore.

Dr Sheona Scales, drejtoreshë e kërkimit në Alzheimer’s Research UK, thotë se “Ky studim sugjeron se matja e niveleve të një proteine të quajtur p-tau217 në gjak mund të jetë po aq e saktë sa punksionet lumbare të përdorura aktualisht për zbulimin e shenjave biologjike të sëmundjes Alzheimer dhe superiore ndaj një sërë testesh të tjera aktualisht në zhvillim. Kjo i shton një grumbull provash në rritje se ky test i veçantë ka potencial të madh për ta revolucionarizuar diagnozën për njerëzit me Alzheimer të dyshuar.

Sipas saj, nevojitet një pasqyrë më e mirë se si kryhen këto lloje të testeve të gjakut në sistemet e kujdesit shëndetësor në botën reale.

Profesor David Curtis, profesor nderi në Institutin e Gjenetikës UCL, University College London, thotë se “Të gjithë njerëzit mbi 50 vjeç mund të kontrollohen në mënyrë rutinore në çdo disa vjet, në të njëjtën mënyrë siç kontrollohen tani për kolesterol të lartë.

“Është e mundur që trajtimet aktualisht të disponueshme për sëmundjen e Alzheimerit do të funksiononin më mirë tek ata që diagnostikohen herët në këtë mënyrë. Megjithatë, mendoj se shpresa e vërtetë është se mund të zhvillohen edhe trajtime më të mira. Kombinimi i një testi të thjeshtë depistues me një trajtim efektiv për sëmundjen e Alzheimerit do të kishte një ndikim dramatik për individët dhe shoqërinë”.

Studimi nga Dr Nicholas Ashton, i Universitetit të Goteborgut dhe kolegët e tij është publikuar në revistën Jama Neurology./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala