Studimi: Pandemia e ka riformësuar jetëgjatësinë në mënyrë dramatike 

Një studim i madh i kohëve të fundit ka zbuluar se jetëgjatësia mesatare në mbarë botën është ulur me 1.6 vjet gjatë dy viteve të para të pandemisë COVID-19, duke përfaqësuar një rënie më të ndjeshme sesa ishte vlerësuar më parë. 

Ky ndryshim i fortë ndërpret një prirje dekadash të rritjes së jetëgjatësisë globale, sipas gjetjeve të publikuara nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit me qendër në SHBA (IHME).

Autori kryesor i studimit, Austin Schumacher, theksoi ndikimin e paprecedentë të pandemisë në shëndetin global, duke deklaruar se COVID-19 ka pasur një efekt më të thellë tek të rriturit në mbarë botën se çdo ngjarje tjetër në pesëdhjetë vitet e fundit, duke tejkaluar edhe konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore. 

Studimi, i botuar në revistën The Lancet, analizoi të dhënat nga 204 vende dhe territore, duke zbuluar se jetëgjatësia është ulur në 84 për qind të këtyre rajoneve gjatë 2020-2021. 

Studiuesit e kanë vënë theksin tek rritja alarmante e shkallës së vdekjeve tek individët mbi 15 vjeç, duke vlerësuar një rritje prej 22 për qind për burrat dhe një rritje prej 17 për qind për gratë.

Mexico City, Peru dhe Bolivia ishin ndër zonat që përjetuan rënie më të ndjeshme të jetëgjatësisë. Pavarësisht këtyre statistikave të zymta, kishte fije shprese, veçanërisht në rënien e vazhdueshme të shkallës së vdekshmërisë së fëmijëve. 

Gjysmë milion fëmijë nën moshën pesë vjeç vdiqën në vitin 2021 krahasuar me vitin 2019, duke treguar përparim të rëndësishëm në këtë fushë.

Studiuesja e IHME, Hmwe Hmwe Kyu, nënvizoi rëndësinë e trajtimit të pabarazive shëndetësore midis vendeve dhe përgatitjes për pandemitë e ardhshme. Megjithatë, studimi theksoi gjithashtu përparimin e jashtëzakonshëm në jetëgjatësinë gjatë shtatë dekadave të fundit, me një rritje prej 23 vjetësh midis viteve 1950 dhe 2021, nga 49 në 72 vjet.

Studimi vlerësoi se COVID-19 ishte përgjegjës për 15.9 milionë vdekje të tepërta gjatë viteve 2020-2021, duke i tejkaluar vlerësimet e mëparshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Veçanërisht, Barbados, Zelanda e Re dhe Antigua dhe Barbuda kishin disa nga normat më të ulëta të vdekjeve të tepërta, që i atribuohen pjesërisht izolimit të tyre gjeografik.

Për më tepër, studimi hodhi dritë mbi ndryshimet demografike, duke treguar se popullsia në rënie në plakjen e vendeve të pasura është në kontrast me rritjen në vendet më pak të pasura. Austin Schumacher paralajmëroi për sfidat e paprecedenta sociale, ekonomike dhe politike të paraqitura nga këto ndryshime demografike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim global në menaxhimin e migracionit vullnetar.

Ndërkohë që bota vazhdon të përballet me pasojat e pandemisë COVID-19, këto gjetje nënvizojnë nevojën urgjente për përpjekje të bashkërenduara për t’i adresuar pabarazitë shëndetësore, për t’i forcuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe për t’i zbutur ndikimet afatgjata në mirëqenien globale./Science Alert

Përgatiti: Nuhi Shala