Ilustrim- Pallati i Rinisë - Foto: KALLXO.com (28 janar 2018)
'Mjegull' Rreth Pallatit të Rinisë, Deputetët Zvarrisin Statutin
Çështja e Statutit të Pallatit të Rinisë ende nuk i ka shkruar Kuvendit për votim, ndërsa një deputet i Vetëvendosjes tha se kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, deputetja e PDK-së, Sala Berisha Shala vendosi ta mbyllë mbledhjen, ende pa filluar mirë.
Në mbledhjen e sotme të komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal do duhej të votohej për vendimin e Qeverisë për Pallatin e Rinisë, në mënyrë që t’i shkojë Kuvendit të Kosovës për votim, e pastaj kjo ndërmarrje t’i kalojë Komunës së Prishtinës.
Mirëpo deputetët nuk arritën ta votojnë dhe shqyrtojnë këtë çështje për shkak se kryetarja e Komisionit kishte planifikuar të kryente punë tjera gjatë kësaj kohë, pritjen e një delegacioni të huaj.
Mirëpo për deputetin e Vetëvendosjes dhe ish-nënkryetarin e Komunës së Prishtinës mandatin e kaluar, Dardan Sejdiu, ky vendim i kryesueses tregon që ajo nuk ka dashur ta procedojë tutje këtë çështje.
“Shihet qartazi që kryesuesja e Komisionit për Ekonomi nuk po do me procedu tutje për Kuvend. Pallati i Rinisë është zhvatë e degradu tash 18 vjet, ne e kemi një përkushtimi prej Komisionit Europian se nëse zgjedhjet çështja e pronësisë, ata do të na përkrahin në renovimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë, ata janë zotuar për këtë”, tha Sejdiu për KALLXO.com.
Sipas tij, është shumë i rëndësishëm interesi i Pallatit të Rinisë sa interesi i partisë.
Ai shtoi se ata që sot vendosen të ‘mos definohet’ statuti i Pallatit të Rinisë, janë kritikuesi më të zëshëm se në Kosovës ka mungesë të infrastrukturës sportive.
“Të njëjtat subjekte që sot kërkuan mos me u definu Statutin e Pallatit të Rinisë, po të njëjtit njerëz janë më të zëshmit për mungesën e infrastrukturës sportive në Kosovë”, tha Sejdiu për KALLXO.com.
Ndërsa deputetja e Alterantivës, Mimoza Kusari Lila tha për KALLXO.com se sot kanë qenë të gjitha kushtet që të shkohet tutje me Pallatin e Rinisë.
“Sot kanë qenë të gjitha kushtet për me u votu dhe me u procedu çështja e Pallatit të Rinisë për në Kuvend të Kosovës për votimin final që t’i kalojë Komunës së Prishtinës. Sot humbi kouromi, sepse edhe pas largimit të kryetares, u larguan edhe tre deputetë tjerë”, tha Kusari Lila për KALLXO.com.
Ajo thotë se kryesuesja nuk dëshiroi ta fusë në votim Pallatin e Rinisë.
“Unë mendoj që kryesuesja nuk deshti ta fusë në votim, erdhën të gjithë por ajo vendosi ta mbylli mbledhjen, ashtu si e mbylli dhe vazhdoi”, tha Kusari Lila.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryetaren e komisionit, Sala Berisha Shala por ajo nuk ka qenë e qasshme në telefon.
http://kallxo.com/perseri-nuk-votohet-per-kalimin-e-pallatit-te-rinise-ne-pronesi-te-komunes/
Kjo është hera e dytë që komisioni nuk ka arritur ta dërgojë në Kuvend të Kosovës vendimin e qeverisë për t’ia kaluar Komunës së Prishtinës pronësinë e Pallatit të Rinisë.
http://kallxo.com/ne-mungese-te-dokumentacionit-shtyhet-votimi-per-pallatin-e-rinise/