Deputeti Dimal Basha në intervistën e RTK-së, Foto: AGK/Facebook

AGK e quan “intimidim publik” sjelljen e deputetit Dimal Basha ndaj gazetares së RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas intervistës së deputetit Dimal Basha në televizionin publik (RTK).

Ky reagim i AGK-së vjen pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje teksa është pyetur nga gazetarja e RTK-së, Blerta Foniqi Kabashi, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, ai e ka vlerësuar Asociacionin si shqetësim të vetëm të Radiotelevizionit të Serbisë, por jo edhe të RTK-së. 

“Unë e shoh qysh duhet me pa secili shqiptar. Në RTS-në e Serbisë ata munden me pas shqetësim të vetëm Asociacionin, në RTK-në e Kosovës nuk duhet m’u kanë veç Asociacioni” – ka thënë Basha në intervistën e RTK-së.

AGK ka vlerësuar se Basha në këtë intervistë “e ka krahasuar Transmetuesin Publik, RTK me televizionin shtetëror serb, RTS”.

Ndërsa, sjelljen e Bashës ndaj gazetares së RTK-së, AGK i është referuar si “intimidim publik” dhe e ka dënuar atë, ndërsa e kanë përgëzuar gazetaren.

 “AGK-ja e përgëzon kolegen Foniqi Kabashi për profesionalizimin e treguar në intervistën me deputetin Basha përkundër sjellës së papërshtatshme të deputetit” – thuhet në reagimin e AGK-së më 03.05.2024.

Sipas AGK-së, Basha në këtë intervistë e ka sulmuar edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për punën që e bën në mbrojtje të gazetarëve dhe medieve.

Sa i përket intervistës, pasi Basha ka vlerësuar se për kë është shqetësim i vetëm Asociacioni, gazetarja Foniqi Kabashi i ka reaguar duke e pyetur se pse ai tha kështu.

“D.m.th kjo është fyerje çka ju po e bëni… Asociacioni nuk është shqetësim i RTK-së e aq më pa imi, sepse po flisni me mua. Asociacioni është kërkesë e Bashkësisë Ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe gjithë aleatëve tjerë të Kosovës” – reagoi gazetarja Foniqi Kabashi.

Ndërsa, Basha i është kundërpërgjigjur duke i thënë se “nuk është shqetësim i krejtve (Asociacioni i komunave me shumicë serbe), është veç i Serbisë”.

“A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova a jo? E pse po e bën temë apet – Asociacionin a keni me ba?” – ka thënë Basha.

Më tej, gazetarja i ka thënë Bashës se ajo nuk po e bën temë Asociacionin dhe se “është njëra ndër temat kryesore në tavolinë e cila e pret Kosovën ditëve në vazhdim”. Por, Basha ia ka mohuar se Asociacioni është tema kryesore.

“S’është tema kryesore, ky është edhe problemi që po e kam. A po e kupton, na jena Qeveria, na e dina çka është tema kryesore. Tema kryesore është marrëveshja… Për neve temë kryesor duhet me kanë të zhdukurit” – ka shtuar Basha.

Në reagimin e saj AGK ka përmendur edhe publikimin e raportit të Reporterëve Pa Kufi për rëeditjen e Kosovës në Iindeksin vjetor për lirinë e mediave.

“Në ditën kur raporti i Reporterëve Pa Kufij, e ka nxjerrë Kosovën në pozicionin më të keq në një dekadë sa i përket lirisë së medies, partia politike në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje i ka dëshmuar në praktikë gjetjet shqetësuese të këtij raporti” – kanë thënë nga AGK.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, më 03.05.2024, Kosova mori lajmin e keq se ka shënuar rënie të dukshme në Indeksin vjetor për lirinë e mediave. Ndryshe nga viti i kaluar që Kosova renditej në vendin e 56-të, në këtë vit i është afruar 100-shit, saktësisht në pozitën e 75-të, duke rënë për 19 vende më poshtë.

raportin e Reporterëve pa Kufi për këtë gjendje fajësohen politikanët, pasi që përfundohet se gazetarët janë cak i sulmeve politike, duke përmendur disa nga rastet më të mëdha të çështjeve mediatike në Kosovë gjatë vitit 2023 dhe këtyre muajve të vitit 2024.

Ndër këto raste, në raportin e publikuar është specifikuar që Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), apo siç i është referuar në raport “rregullatori joefikas i mediave” po provon të reformojë veten.

Në anën tjetër, Kosovës i kanë mbetur më pak se një muaj deri te votat e minstrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës (KiE), të cilat përcaktojnë nëse Kosova do të bëhet shteti i 47-të i organizatës për të drejtat e njeriut.