MAShT: Rektorët kanë qenë të përfshirë në zgjedhjen e anëtarëve të KShC-së

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike dje njoftuan se që nga dita e sotme do të hyjnë në grevë, e cila do të pasohet edhe me protesta si pasojë e vendimeve për tërheqjen dhe refuzimin e aplikacioneve për akreditimin e disa programeve studimore për vitin 2019/20.

Rektorët njoftuan se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e tri kërkesave të tyre, pra shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, shfuqizimin e vendimeve të tyre, si dhe shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi ka thënë për KALLXO.com se Konferenca e Rektorëve po kërkon shkarkimin e ministrit pas mosplotësimit të kërkesës së tyre ndaj ministrit Bytyqi që të shkarkojë KShC-në.

Ai theksoi se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është institucion i pavarur.

“Institucionet e arsimit të lartë që pretendojnë ndryshe për këto vendime, mos të bëjnë presione të formave të tilla por le t’i drejtohen zyrtarisht AKA-së, sepse MAShT nuk ka asnjë ndikim tek AKA si organ i pavarur. Sa për informim, KR ka qenë e përfshirë në selektimin e anëtarëve të KShC-së e po ashtu në UA për AKA- në dhe çdo infrastrukturë tjetër ligjore që lidhet me arsimin e lartë.”, deklaroi Gashi.

MAShT-i ka pasur bashkëpunim të mirë me të gjitha Universitetet , shtoi tutje këshilltari i ministrit Bytyqi për KALLXO.com, madje sipas Gashit, MAShT-i ka përkrahur shumë iniciativa në të mirë të Universiteteve.

Anëtarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Rozafa Koliqi kishte deklaruar dje (28 janar) për KALLXO.com se ka qenë e pritshme që institucionet e arsimit të lartë të reagojnë ndaj vendimeve të tyre.

Mirëpo sipas saj, kërkesat që vijnë nga Konferenca e Rektorëve janë jashtë kompetencës së tyre.

 

https://kallxo.com/koliqi-kerkesat-e-rektoreve-jane-jashte-kompetences-se-tyre/

 

https://kallxo.com/edhe-universitetet-nga-neser-ne-greve-rektoret-kerkojne-shkarkimin-e-ministrit-bytyqi/

 

https://kallxo.com/terhiqet-akreditimi-i-74-programeve-ne-universitete/

 

https://kallxo.com/universitetet-publike-kerkojne-shkarkimin-e-anetareve-te-kshc-se-dhe-riakreditimin-e-programeve-te-kaluara/

 

https://kallxo.com/dokument-kshc-iu-pergjigjet-rektoreve-nuk-i-plotesuat-kriteret/

https://kallxo.com/rektoret-para-komisionit-per-arsim-ne-excel-pame-vetem-ngjyren-e-kuqe/

https://kallxo.com/apostolova-kunder-rektoreve-mbeshtet-agjencine-e-akreditimit/