Ilustrim

Kuvendi i Kosovës i votoi anëtarët vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të datës 14.02.2024 është votuar emërimi i tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë për Akreditim të Kosovës (AKA).

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili në përgjithësi i vlerëson institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Nga 85 deputetë prezentë në seancën plenare, me 63 vota për, asnjë abstenim, asnjë kundër janë votuar këta anëtarë të cilët janë: Mirlinda Batalli, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës nga fusha e drejtësisë; Avni Berisha, profesor nga shkencat e natyrës në Universitetin e Prishtinës dhe Jetmir Haxhibeqiri, profesor në Universitetin e Ghentit (Belgjikë), nga fusha e shkencave kompjuterike.

Mandati i tyre është katër vjeçar.

Ndërkaq para votimit të tyre, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka njoftuar se diskutimet për këtë pikë kanë përfunduar më 19.10.2023.

Emërimin e këtyre anëtarëve, Konjufca e ka konsideruar si vendim të rëndësishëm për institucionet e Kosovës, për KSHC.