Në mungesë të kuorumit, Kuvendi dështon ta kalojë propozimin për tre anëtarët vendorë të KSHC-së

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta kalojë propozimin për tre anëtarët vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC).

KSHC është organ politikbërës dhe vendimmarrës i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Emrat e propozuar që i kanë shkuar Kuvendit për miratim janë: Mirlinda Batalli Zhubi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës nga fusha e drejtësisë; Avni Berisha, profesor nga shkencat e natyrës në Universitetin e Prishtinës dhe Jetmir Haxhibeqiri, profesor në Universitetin e Ghentit (Belgjikë), nga fusha e shkencave kompjuterike.

Para votimit, përfaqësues nga pozita i ftuan deputetët që ta votojnë këtë përbërje.

“Duke qenë se tashmë Kuvendi e ka miratuar Ligjin e ri për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, i cili është në fuqi dhe parasheh që edhe një student të plotësohet nga radha e Këshillit Shtetëror të Cilësisë do të plotësohet dhe kjo pozitë e mbetur e lirë” – tha ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Në lidhje me këtë, ajo u shpreh se rizgjedhja e anëtarëve të rinj është një kontribut për garantimin dhe funksionimin e institucioneve të pavarura dhe garantimin e cilësisë në arsimin e lartë.

“Tre kandidatët që kemi propozuar dhe miratuar në Qeveri janë me kredenciale të larta akademike dhe me integritet personal e profesional, andaj unë ju ftoj që t’i votoni”-shtoi ajo.

Një ftesë të tillë për deputetët e bëri edhe kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola.

“Për shkak se aktualisht me përbërjen ekzistuese po rrezikohet vazhdimisht kuorumi konsiderojmë që plotësimi i Këshillit me këta anëtarë përpos që është meritokratik i shton edhe funksionalitetin e mëtejmë këtij institucioni”-tha Gola.

“Për shkak se Ligji për Agjencinë e Akreditimit, i cili është votuar në sezonin e kaluar, ka nevojë edhe për aktet implementuese shtesë, e për të cilat ka nevojë që ky bord të jetë edhe më gjithëpërfshirëse në kuptimin e mbulimit të fushave shkencore, konsiderojmë që një votim dhe emërim i sotëm në Kuvend i kësaj përbërje është i rëndësisë jetike që të kemi një këshill sa më të plotë dhe sa më funksional”-shtoi deputeti.

Megjithatë, pjesëmarrja e 59 deputetëve në votim nuk ishte e mjaftueshme.

“Atëherë më thonë 59 deputetë kanë marrë pjesë në votim, 58 vota për dhe një abstenuese. Nuk kemi kuorum për me e marrë këtë vendim për Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Kështu që, kjo mbetet për një rast tjetër” – njoftoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai përmendi se katër prej deputetëve të mazhorancës nuk kanë votuar.

Sot Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka bërë shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Komisioni vlerësues për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka finalizuar raportin me emrat e rekomanduar në gusht të këtij viti.

Ministria e Arsimit e kishte anuluar këtë konkurs më 8 qershor për “arsye ligjore”.