FOTO: KALLXO.com

Komisioni për Arsim kalon propozimin për tre anëtarët vendorë të KSHC-së

Sot Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka bërë shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Me këtë rast, me gjashtë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, vendimi për tre anëtarët vendorë të KSHC-së kaloi.

Më 27 shtator 2023, kabineti qeveritar ka miratuar propozim-vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës votimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Emrat e propozuar që i kanë shkuar Kuvendit për miratim janë: Mirlinda Batalli Zhubi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës nga fusha e drejtësisë; Avni Berisha, profesor nga shkencat e natyrës në UP dhe Jetmir Haxhibeqiri, profesor në Universitetin e GHENT-it në Belgjikë, nga fusha e shkencave kompjuterike.

E pranishme në mbldhjen që mbajti sot Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, e cila tregoi se sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, një vend i lirë do të plotësohet me një student.

“Siç e dini ju, tashmë keni dhënë kontributin tuaj dhe Kuvendi ka miratuar Ligjin për Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Ligji parasheh disa risi, në mes të tyre është risia që nga gjashtë anëtarët vendorë, një vend i lirë të plotësohet sipas ligjit, me student dhe në shpejtësi do të hapet konkursi edhe për një pozitë të lirë”- tha e para e MASHTI-t.

“Përveç kësaj, siç jeni në njohuri, aktualisht është përcaktuar se nga një institucion i arsimit të lartë nuk mund të jenë më shumë se tre anëtarë, pra cilido qoftë nga anëtarët. Kështu që, unë konsideroj që me plotësimin e gjashtë pozitave që aktualisht janë të plotësuara me këto tri të reja dhe me një student të nivelit master KSCH do të japë kontribut edhe më tutje me të gjitha sa i përket ruajtjes së cilësisë… përkrahja për KSHC e dini që është njëra nga prioritete tona të përbashkëta, jo vetëm të Qeverisë por edhe të kuvendit, bashkë me përkrahjen për Agjencinë së Kosovës për Akreditim dhe është një moment i rëndësishëm ku shpejtë do të kemi dhe vlerësimin për anëtarësim në ENKA….”- shtoi ajo.

Në lidhje me këtë, anëtari i këtij komisioni Jahja Kokaj cilësoi se këta tre kandidatë janë me biografi intensive.

“Ky këshill me të vërtetë po pasurohet mirë e më mirë, po stabilizohet. Unë i votoj këta tre kandidatë me kënaqësi” – tha ai.

Mirëpo, nënkryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj u shpreh se nuk do të marrë pjesë në këtë votim.

“Nuk kam arritur t’i analizoj mirë CV-të e kandidatëve… por kam pas vërejtjet e mia me krejt procedurën si ka shkuar. Domethënë, anulimi fillimisht i konkursit, mandej një nguti që ka qenë… mandej nuk e kuptoj tërheqjen automatike të kandidates që ka qenë një herë pjesë e konkursit… e cila ka qenë pjesë e KSHC herën e kaluar. Prandaj në lidhje me këtë unë edhe nuk do të marrë pjesë në votim” – tha ajo.

Për këtë Nagavci u përgjigj duke thënë se nuk ka tërheqje të ndonjë kandidati dhe shtoi se kandidatja Rozafa Koliqi ka përfunduar mandatin e saj me sukses.

“Nuk ka tërheqje të ndonjë kandidati, është anuluar konkursi pas disa adresimeve që janë bërë, është anuluar dhe është rishpallë përsëri…. sa i përket profesoreshës Koliqi, ajo ka përfunduar mandatin e saj me sukses dhe nuk ka pasur tërheqje nga ana e saj” – tha ministrja Nagavci.

Ajo shtoi se nga një komision me kredibilitet asaj i janë dhënë gjashtë emra dhe më pas ajo ka përzgjedhur tre nga ta.

“Profesoresha Koliqi ka qenë njëra nga 6 propozimet. Gjithsesi nga gjashtë propozimet  janë zgjedh tre për plot arsye. E para, për shkak se nga Universiteti i Prishtinës mund të kemi maksimum tre anëtarë…..Profesoresha Koliqi është nga fusha e farmacisë, pra është profesori Berisha dhe është profesoresha Batalli Zhubi  për shkak se po ashtu KSCH ka pasur nevojë të ketë së paku një jurist në përbërjen e tij” – u shpreh ministrja.

Sipas Nagavcit, përzgjedhja e anëtarëve ka qenë profesionale.

“Unë ju garantoj se përzgjedhja ka qenë profesionale pa e mohuar rolin dhe kontributin që e ka deri më tani e ka dhënë profesoresha Koliqi me të cilën unë kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë, por ajo e ka përfunduar mandatin e saj. Gjithsesi që është e mirëseardhur ta jap kontributin edhe më tutje në forma të tjera” – shtoi ajo.

Pasi Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport me gjashtë vota për, vendosi që vendimi i Qeverisë për propozimin për ratifikim në seancën parlamentare të kandidatëve për përbërjen e KSCH-së të kalojë, kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola, propozoi që kjo çështje të futet si pikë e rendit të ditës në seancën e sotme.

Kësisoj, me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u votua që të plotësohet rendi i ditës me këtë pikë në seancë në ora 13.

Komisioni vlerësues për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka finalizuar raportin me emrat e rekomanduar, në gusht të këtij viti.

Ministria e Arsimit e kishte anuluar këtë konkurs më 8 qershor për “arsye ligjore”.