Vrasja në Prizren pas zënkës për një pusetë, gjykata merr vendim për të dyshuarin

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të dyshuarit për vrasjen e 48-vjeçarit, Beqir Morina, në Prizren.

Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e 2 shtatorit, rreth orës 19:00, në lagjen “Arbana” në Prizren, pas një zënke të dyshuar të nisur rreth një pusete.

Prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi, ka konfirmuar për KALLXO.com këtë vendim, ndërsa gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha, e ka aprovuar atë.

Paraburgimi i dyshuarit mund të zgjasë deri më 4 dhjetor 2023, duke u bazuar në arsyetimin e kërkesës së Prokurorisë, i cili thotë se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase ndaj të pandehurit Gashi.

Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, ekzistojnë rrethana që tregojnë se me lënien në liri të tij, është rreziku i arratisjes, pasi që edhe pas kryerjes së veprës penale i njëjti i është shmangur institucioneve të drejtësisë deri në arrestimin e tij.

I pandehuri Gashi dyshohet se para gruas dhe vajzës 8-vjeçare të të ndjerit, me kallashnikov ka shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së tashmë viktimës.

Nga plagët e marra Beqir Morina ka gjetur vdekjen.

Sipas kërkesës të siguruar nga KALLXO.com  i pandehuri Gashi po dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë nga neni 137 dhe mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 parag.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në kërkesë thuhet se i dyshuari Aziz Gashi, më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave.

Pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri Aziz me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H.M (bashkëshortja e viktimës), A.M (vajza tetëvjeçare e viktimës), R.M dhe H.Sh.

Tutje thuhet se, Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M, me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa të dëmtuarve, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Po ashtu, në kërkesë thuhet se të dëmtuarat H. dhe A.M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R.M., arrin të fshihet prapa një muri në afërsinë e vendit të ngjarjes, e i dëmtuari H.Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin H.Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”, i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volksëagen Tiguan”, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.M, A.M, R.M dhe H.Sh., ua rrezikon jetën.

Për këto veprime, Gashi po dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Gashi po dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 i Kodit Penal, pasi më 4 shtator 2023 në Prizren në shtëpinë e tij e cila gjendet në rr.”Fetah Sylejmani”, në lagjen “Arbana”, gjendet arma në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët dhe atë pushkë automatike AK-47, së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B.M dhe me dashje u ka rrezikuar jetën të dëmtuarve H.M., A.M., R.M dhe H.Sh., e të cilën policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë, Komuna e Malishevës.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.

Çka deklaroi në gjykatë i dyshuari për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren?