Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Rahovecasi i akuzuar për vrasjen e vëllait lirohet nga akuza

Gjyqtari Shaqir Zika, në mungesë të provave sot ka liruar nga akuza e vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje të akuzuarin Arben Morina.

Morina, akuzohej për vrasjen e vëllait të tij Naser Morina.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria pretendon se Arben Morina, në maj të vitit 2019, me një të shtënë me armë, kishte vrarë vëllanë e tij.

I akuzuari Arben, gjendet në paraburgim prej datës 17 tetor 2019, i dyshuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ali Uka, në maj të vitit 2019, në fshatin Çifllak, komuna Rahovec, në shupën e shtëpisë kishte privuar nga jeta vëllanë e tij 33 vjeçar Naser Morinën.

Në aktakuzë thuhet se i ndjeri Naser Morina ishte qëlluar një herë nga arma kalibër dhe tip i panjohur në pjesën e parme të kraharorit dhe se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së mbrendshme të kraharorit si pasojë e plagës tejshkuese nëpër regjionin e zemrës.

Aktakuza thotë se arma nuk është arritur të konfiskohet, pasi qe pas kryerjes së veprës penale dyshohet se i akuzuari e ka hudhur.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Prokuroria kishte bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Arben Morinës.

Fillimisht për këtë rast, Policia nuk kishte asnjë person të dyshuar.