Foto: Ilustrim

Prizren, aktakuzë ndaj të pandehurit që dyshohet se vrau një person në prani të bashkëshortes dhe vajzës së tij 3-vjeçare

Prokuroria e Prizrenit ka bërë të ditur më 15.04.2024 se ka ngritur aktakuzë kundër Aziz Gashit, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale – vrasje e rëndë; armëmbajtje pa leje, dhe – asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Sipas aktakuzës, më 03.09.2023 rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, i pandehuri Aziz Gashi, pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë mes të tij dhe viktimës e kishte privuar nga jeta Beqir Morinën dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e më shumë personave.

Marcel Lekaj ka konfirmuar për KALLXO.com më 15.04.2023 se aktakuza është ngritur nga prokurorja Ervehe Gashi.

Prokuroria pretendon se pasi Aziz Gashi kishte marrë “Kallashnikovin” në shtëpinë e tij ishte nisur në drejtim të viktimës, Beqir Morina, i cili potencohet të ketë qenë duke ecur në shoqëri me bashkëshorten e tij H.Th., vajzën e tij 3-vjeçare A.M., dhe me R.M. dhe H.Sh.

Gjithnjë sipas komunikatës, i akuzuari u del përballë të njëjtëve me automjet, i pajisur me pushkën automatike dhe më pas zbret nga automjeti, shkrep një rafal në drejtim të viktimës Beqir Morina, me ç’rast të njëjtin e godet në pjesën e përparme të trupit, dhe nga këto goditje viktima rrëzohet në tokë.

Sipas Prokurorisë, Aziz Gashi nuk ndalon me kaq dhe i afrohet edhe më tej viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur edhe një rafal fatal prej dhjetë plumbave, me ç’rast viktima vdes në vend.

Detaje të tjera nga organi i ndjekjes theksojnë se bashkëshortja dhe vajza e viktimës gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër tij, ndërsa i dëmtuari R.M. arrin të fshihet prapa një muri në afërsi të vendit të ngjarjes, e i dëmtuari H.Sh. fshihet prapa automjetit të të pandehurit.

Pasi që e ekzekuton viktimën, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij dhe kur e vëren të dëmtuarin H.Sh. ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm iu kam ndarë”, i thotë që të largohet nga aty.

Në fund Aziz Gashi largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.Th., A.M., R.M., dhe H.Sh., ua rrezikon jetën, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Në seancën e datës 06.09.2023 në Gjykatën e Prizrenit A.G. kishte shprehur keqardhje për ngjarjen e ndodhur, duke u arsyetuar se nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në të njëjtën datë Gjykata e kishte miratuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji për aso kohe të dyshuarin A.G. 

Më 13.10.2023, Gjykata ia kishte vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin të njëjtit.

Me 19.01.2024 përmes një vendimi të ri ishte vazhduar për të tretën herë paraburgimi për të pandehurin në fjalë.