Ndërpritet seanca ndaj Milaim Zekës, Ilir Krasniqi thotë se është i sëmurë

Ndonëse seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Milaim Zeka, Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu filloi gjysmë ore me vonesë, edhe pas kaq minutash pritje, mbajtja e seancës nuk u bë e mundur.

Arsyeja e ndërprerjes së kësaj seance, e cila filloi me 30 minuta vonesë, ishte gjendja shëndetësore e të akuzuarit Ilir Krasniqi.

“Gjendja ime shëndetësore nuk është e mirë për me mbajt seancë”, tha ai.

Ndonëse nuk kishte sjellë ndonjë dokument për të provuar gjendjen e tij shëndetësore, Krasniqi tha se do ta sjell seancën tjetër.

Lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Ilir Krasniqi, dyshime pati nga të pranishmit në sallë të gjykatës, njëri nga dëshmitarët iu drejtua trupit gjykues, me fjalët: “A po i besoni a”?

Ndër të tjera mbrojtësi i të akuzuarit, Edmond Kërliu, avokati Kujtim Kerveshi më pas i kërkoi Gjykatës që të veçohet procedura për klientin e tij pasi që sipas avokatit, të akuzuarit Edmond Kërliu po i duhet vazhdimisht të udhëtoj nga shtetet tjera për të ardhur në këtë seancë.

“Është hera e tretë qe po vjen, pa ndonjë efekt juridik”, tha avokati Kujtim Kërveshi.

Vlen të theksohet se as seanca e kaluar nuk kishte arritur të mbahej, kjo për arsyeje shëndetësore të anëtares së trupit gjykues.

Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu po gjykohen për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

Në gjykimin e Milaim Zekës, dëshmitari rrëfen kujt ia dha paratë për vizë

.