Gjykimi i Milaim Zekës - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e Milaim Zekës, dëshmitari rrëfen kujt ia dha paratë për vizë

Në seancën e sotme të gjykimit të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe dy të pandehurve të tjerë, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu, të cilët akuzohen për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, është dëgjuar dëshmia e Agron Bytyqit, i cili konsiderohet palë e dëmtuar në këtë rast.

Bytyqi ka rrëfyer gjithë historinë e tij me të pandehurit.

Ai ka treguar se kishte shkuar në agjencinë e të pandehurve për t’u pajisur me vizë pune për Gjermani.

Në agjencinë “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka” tha se ka paguar 1.050 euro dhe pasi ta merrte vizën do të duhej të paguante edhe 2.500 euro të tjera.

Agron Bytyqi tha se nuk ishte pajisur me vizë, e as paratë nuk i ishin kthyer.

Dëshmitari rrëfeu për atë çka kishte biseduar me tani të akuzuarin Ilir Krasniqi përmes “Viber”-it.

Sipas tij, Krasniqi i kishte premtuar që brenda 10 ditëve do të pajisej me vizë.

Por pasi që premtimi nga i akuzuari Ilir Krasniqi nuk ishte realizuar, Agron Bytyqi tha se kishte hulumtuar për të parë nëse kjo agjenci ishte e ligjshme dhe kishte kërkuar informata në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ku  dhe kishte konfirmuar se ky subjekt kishte qenë i ligjshëm dhe aty kishte kuptuar se edhe Milaim Zeka është pjesë e agjencisë.

Kurse në momentet kur nuk kishte mundur të binte në kontakt me Ilir Krasniqin, i cili sipas dëshmitarit e kishte mbyllur rrjetin social “Facebook”, numrin e telefonit e kishte bllokuar, tha se ishte detyruar të lypte shpjegime nga i akuzuari Milaim Zeka.

Ai tregoi se kur kishte biseduar me të akuzuarin Zeka ky i kishte thënë se Ilir Krasniqi “është mashtrues”, kurse Ilir Krasniqi i kishte thënë se Milaim Zeka” e kishte marrë në qafë”.

“Unë kam kontaktuar me Milaim Zekën pasi që e kam parë se emri i tij figuron në këtë agjension, e prej momentit kur kam kontaktu me të Milaimi Zeka më ka thënë shko në Polici e paraqite rastin kundër Ilir Krasniqit, se i njëjti po e keqpërdor emrin tim”, tha  dëshmitari Bytyqi.

Pastaj dëshmitari Agron Bytyqi bëri të ditur në Gjykatë se nuk kishte shkuar në Polici pasi e kishte kontaktuar një zyrtar policor në “viber” dhe i kishte thënë që “nëse ke diçka për këtë rast duhet të më kontaktosh mua se jam hetuesi që merret me këtë rast”, ku dhe më pas kishte shkuar në Polici dhe kishte dhënë deklaratë. Gjithashtu  dëshmitari tha se të gjitha këto biseda i ka të ruajtura.

Kurse  në pyetjen e gjykatësit Mustafë Tahiri, dëshmitari tha se nuk e ka ndier veten të kërcënuar ndonjëherë, por vetëm ka qenë i frikësuar.

Ndërsa, lidhur me pagesën e bërë në vlerë prej 1.050 euro, Bytyqi tha se kjo kishte qenë vetëm pagesa e parë, pasi që nëse ai do të ishte pajisur me vizë do të duhej sipas marrëveshjes që kishte me agjencinë, të njëjtës t’i paguante edhe 2500 euro, që në total ishin 3500 euro.

Në seancën e radhës pritet të dëgjohen edhe pesë dëshmitar të tjerë lidhur me këtë rast.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 8 prill.

Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti i kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të deputetit Milaim Zeka, Edomond Kërliu dhe Ilir Krasniqi, lidhur me hedhjen e aktakuzës  ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Në seancën e sotme, deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, dhe dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu, sërish janë deklaruar të pafajshëm.

“Se ni veten fajtor, as kurrë se kom kuptu as hala se kuptoj pse prokuroria  ka ardhë deri te kjo ngritje e aktakuzës”, tha Milaim Zeka.

https://kallxo.com/milaim-zeka-ndihet-i-pafajshem-per-mashtrimin-me-viza-pune/

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, si bashkëpronarë të biznesit “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka OP” me seli në Prishtinë, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, në shumë prej 59.981.85 euro me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale shmangia nga tatimi.

Në pikën tjetër të aktakuzë thuhet se i pandehuri Milaim Zeka gjatë periudhës kohore  prej 26 janar 2012 e deri më 31 dhjetor 2017, si pronar i biznesit N.SH qendra mediale “Mozaiku i Kosovës” me seli në Prishtinë, me dashje direkte i është shmangie obligimeve tatimore ndaj ATK- së, në shumë prej 81.192.72 euro.