Arkiv - Gjykimi ndaj Milaim Zekes dhe dy te tjereve per mashtrimin me viza - 08.04.2019

Kandidati për kryeministër para gjykatës për mashtrim me viza

Në Gjykimin për viza ku të akuzuar janë kandidati për kryeministër i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqit e Edmond Kërliut seanca nuk ka filluar ende, ndonëse ishte paraparë të fillonte në ora 09:30.

Arsyeja pse seanca nuk ka filluar ende është sepse kryetari i trupit Gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili, është në Këshillin Gjyqësor dhe sipas zyrtares do të vonohet pak.

Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu po gjykohen për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit Prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.