Lirohet nga akuza ish drejtori i Urbanizmit në Gjilan, akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore në Gjilan, ka liruar nga akuza Bekim Bajramin, ish drejtor për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit.

Bajrami akuzohej se në cilësinë e Drejtorit të urbanizmit ë Gjilan, kishte lëshuar leje ndërtimore në Parcelat Kadastrale të Komunës së Gjilanit edhe pse në ato parcela ishin paraparë ndërtimi i një objekti parashkollor dhe një objekti tjetër shkollor.

Sipas Prokurorisë gjatë vitit 2019, i akuzuari Bajrami duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Mjedisor në Komunën e Gjilanit ka anashkaluar interesin e institucionit që e përfaqëson (Komunës së Gjilanit) dhe e ka zëvendësuar me interesin e të tjerëve, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit 1”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore.

Sipas aktakuzës, Bajrami lejet ndërtimore i kishte lëshuar për dy kompani ndërtimi edhe atë për kompaninë SH.P.K. “City Project-3”, me pronar Fatmir Daku dhe për kompaninë SH.P.K. “Mabb Home”, me pronar Musah Bunjaku.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: https://kallxo.com/ligji/drejtori-i-urbanizmit-ne-gjilan-para-gjyqit-akuzohet-se-lejoi-ndertimin-e-banesave-ku-ishte-parapare-shkolla/.