Drejtori i Urbanizmit në Gjilan para gjyqit, akuzohet se lejoi ndërtimin e banesave ku ishte paraparë shkolla

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami, ka dalë para Gjykatës në Gjilan për tu përballur me akuzat për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Bajrami ka lëshuar leje ndërtimore në Parcelat Kadastrale të Komunës së Gjilanit edhe pse në ato parcela ishin paraparë ndërtimi i një objekti parashkollor dhe një objekti tjetër shkollor.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari-zyrtari policor Shkumbin Sahiti, i cili e ka përpiluar kallëzimin penal për këtë rast. Ai tha se qëndron pranë kallëzimit penal që e ka dorëzuar dhe hetimeve që i ka bërë.

“Gjatë vitit 2019, nga Prokuroria kemi pranuar një autorizim për hetime në Drejtorinë e Urbanizmit në Gjilan, nën dyshimin se është kryer vepër penale. Fillimisht kemi parashtruar kërkesen për tërheqjen e lejeve ndërtimore të cilat sipas nesh ishin lëshuar në lokacionin ashtu si shkruante edhe nga raporti i zyrtarit juridik të kësaj Drejtorie. Aty kemi parë se ishte bërë ndryshimi i destininit të disa planeve dhe se ndërtimi i institucionit parashkollor ishte bartur diku tjetër, kurse leja ndërtimore në vendin e paraparë për institucion shkollor ishte dhënë për ndërtimin të objekteve tjera”, tha dëshmitari Sahiti.

Gjithashtu dëshmitari tha se lejet ndërtimore kanë qenë të nënshkruara nga i akuzuari Bekim Bajrami.

Në vazhdim u dëgjua i akuzuari Bekim Bajrami, i cili tha se nuk e pranon fajësinë lidhur me akuzat e Prokurorisë së Gjilanit. Tutje tha se Drejtor i Urbanizmit në Gjilan është nga viti 2018 dhe se detyrat e tijë janë të kordinoj punët me sektorët e tjerë brenda Drejtorisë.

“Lidhur me lejet ndërtimore për të cilat akuzohem janë lëshuar në bazë të rregullave dhe se dyshimet e Prokurorisë janë të pa bazuara. Leja ndërtimore lëshohet pas kërkeses së qytetarëve dhe se pas kompletimit të dokumentacionit lënden ja dorëzoj stafit përkatës për të vazhduar tutje”, tha i akuzuari Bajrami.

Gjithashtu tha se pronat e përfshira në aktakuzë janë pjesë e planit rregullues urban të vitit 2019.

Seanca e sotme u ndërpre për shkak të angazhimeve të gjyqtarëve në raste të tjera, andaj seanca e sotme do të vazhdohet më 10 dhjetor.

Sipas Prokurorisë gjatë vitit 2019, i akuzuari Bajrami duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Mjedisor në Komunën e Gjilanit ka anashkaluar interesin e institucionit që e përfaqëson (Komunës së Gjilanit) dhe e ka zëvendësuar me interesin e të tjerëve, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “ Livadhet e Arapit 1”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Bajrami lejet ndërtimore i ka lëshuar për dy kompani ndërtimi edhe atë për kompaninë SH.P.K. “City Project-3”, me pronar Fatmir Daku dhe për kompaninë SH.P.K. “Mabb Home”, me pronar Musah Bunjaku.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Dështon seanca ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, akuzohet për lëshimin e dy lejeve ndërtimore