Historia e kontratës që mund ta dërgojë në burg Pal Lekajn

Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në Administratë Publike.

Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berishën është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri janë dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Por për çfarë veprime dhe vepra akuzohen katër tashmë të dënuarit?

Prokuroria Speciale me 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzën për ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekajn, këshilltarin e tij politik Eset Berishën dhe Sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së Infrastrukturës Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shtator të vitit 2017.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me kontratën bazë e cila ishte lidhur në vitin 2014 parashihej të përfundonte me 18 janar të vitit 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor të vitit 2018.

Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kostot financiare që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Çfarë provat prezantoi prokuroria?

Si provë për këtë pretendim, prokuroria e kishte paraqitur ekspertizën financiare. Kjo ekspertizë kishte konstatuar se marrëveshja e 27 shtatorit e vitit 2017 për pagesën e 53 milionë eurove, e cila ishte nënshkruar nga Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri ishte kundërligjore pasi që kjo marrëveshje nuk kishte paraparë koston financiare, gjë e cila është pikë kyçe në një marrëveshje. Pasi që sipas prokurorisë, duke ju referuar dispozitave ligjore, në rastet kur ka implikime buxhetore, marrëveshja pa kosto të paracaktuar, është kundërligjore.

Sipas prokurorisë, ekspertiza ka ardhur me konstatim se kontrata për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” ka qenë me çelësa në dorë, pra ka pasur çmimin fiks deri në përfundim. Çmimi i kontraktuar në fillimet e saj për ndërtimin e autostradës ka qenë afërisht 600 milionë euro.

Tutje aktakuza thotë se Pal Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka” për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershorit të vitit 2018.

Cfarë kishte thënë në gjykatë i akuzuari Eset Berisha?

Eset Berisha gjatë dhënies së mbrojtjes kishte thënë se askush nuk kishte pasur negociata me kompaninë “Bechtel-Enka” për dakordim të çmimit apo dakordim të vlerës së kontratës.

“Nuk ka pasur negociata me kompaninë ndërtuese ‘Bechtel-Enka’ nga askush. Anëtarët e komitetit drejtues në takimin e datës 05.04.2018 kanë caktuar nga një këshilltar të tyre të ministrave që të takohen me përfaqësuesit e kompanisë ndërtimore ‘Bechtel-Enka’ për të kuptuar detajet e kërkesës se tyre. Gjatë këtij takimi është elaboruar në hollësi sipas pikave të kërkesës të ‘Bechtel- Enka’-s edhe arsyeshmëria e secilës pikë. Ky takim nuk mund të quhet negocim apo bisedë për dakordim të çmimit apo dakordim të vlerës së kontratës” – kishte deklaruar Berisha në gjykatë me 10 janar të vitit 2024.

Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare lidhur me këtë projekt e kishin, Komiteti Drejtues Ndërministror i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.

Ndërsa, dëshmitari i prokurorisë, Ramë Qupeva, në cilësinë e ish-drejtuesit të Njësisë për Implementimin e Projekteve (NJIP), gjatë dëshmisë së tij kishte thënë që për pagesën prej 53 milionë euro që kishte bërë qeveria, nuk ishte konsultuar NJIP si dhe nuk kishin marrë pjesë në vlerësimin e propozimit nga ana e “Bechtel & Enkës”, lidhur me koston për zgjatjen e afatit.

“Pagesat edhe certifikim dhe faturimi për vlerën e 53 milionëve është bërë pas marrjes së vendimit nga Qeveria e Kosovës, para marrjes së këtij vendimi nuk jemi konsultuar NJIP, nuk është konsultuar nga ana e komitetit dhe nuk kemi marrë pjesë në vlerësimin e propozimit nga ana e “Bechtel & Enka lidhur me koston e zgjatjes së afatit” – kishte dëshmuar Qupeva në seancën e 31 marsit të vitit 2023.

Sipas prokurorisë, pagesa për shumën prej 53 milionë eurove ishte në kundërshtim të plotë me rekomandim e kompanisë mbikëqyrëse të projektit e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, “Hill Internacional”.

Sipas këtij rekomandimi të bërë në vitin 2017 nga “Hill Internacional”, ishte thënë që shuma e vetme që do duhej t’i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro, krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro tjera në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit ( dy kërkesat e fundit, “Hill” i kishte konsideruar si të pabazuara). Këtë rekomandim të kompanisë, sipas prokurorisë, e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.

Provë e propozuar nga prokuroria: Opinioni i “Hill Internacional”

Si provë e konsideruar me rëndësi sipas prokurorisë ka qenë edhe opinioni i kompanisë mbikëqyrëse “Hill Internacional” i lëshuar në dhjetor të vitit 2017 e cila ka dhënë sqarime për pagesën shtesë prej 53 milionë eurove për kompaninë ndërtuese. Sipas këtij opinioni është bërë me dije se vetëm 14 milionë euro kanë qenë të bazuara nga kërkesa prej 53 milionë euro.

Këtë opinion prokuroria thotë që Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së, të mbajtur për këtë arsye.

Cka deklaroi në gjykatë ish-ministri tjetër Bajram Hasani?

Ish-ministri i Tregtisë në qeverinë Haradinaj, Bajram Hasani kishte thënë në gjykatë se në mbledhjen e komitetit, ku kishte marrë pjesë edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, nuk e di nëse ishte prezantuar ndonjë opinion ligjor i përgatitur nga kompania mbikëqyrëse “Hill International”.

Hasani kishte thënë se si anëtar i komitetit, bindja e tij kishte qenë se në rast të mosrealizimit të kësaj pagese, çështja do të shkonte në Gjykatë të Arbitrazhit.

“Nuk e di atë ditë a është shpërndarë në komitet, letër nuk kam pasë” –  kishte thënë Hasani në seancën e 4 Prillit të vitit 2023.

Ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha gjatë dhënies së mbrojtjes kishte deklaruar se nuk kishte pranuar opinion nga përfaqësuesi i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve “Hill International”, Georgios Papaioannou.

“Jo, s’kam pranuar opinion nga ai, s’kam qenë kompetent me pranu shkresa” – kishte thënë Berisha më 10 janar 2024 në gjykatë.

Ndërsa i akuzuari Nebih Shatri kishte thënë që para nënshkrimit të marrëveshjes nuk e kishte lexuar ndonjë herë opinion e “Hill International”. Këtë e kishte thënë se gjatë dhënies së mbrojtjes.

Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij, Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli ndryshimi e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.

“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “ Hill International” dhe Departamenti i prokurimit Publik si nënshkrues i kontratës të cilët posedojnë njohuri të specializuar”- përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Avdi Kamerolli më datë 01.06.2018 me numër protokolli 5124.

Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë të ketë pasur drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha {përmes dërgimit të një draft opinioni të shkruar në email} dhe Pal Lekaj, ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI.

A ishte ndryshuar opinioni ligjor pas presionit, çka kishte deklaruar drejtori i zyrës ligjore?

Avdi Kamerolli, drejtori i zyrës ligjore për të cilin aktakuza thotë se Eset Berisha dhe Pal Lekaj kanë ushtruar ndikim për ndryshimin e opinionit ligjor, këtë gjë e kishte konfirmuar para trupit gjykues në përbërje prej Violeta Namani- Kryetare, Musa Konxheli dhe Vesel Ismaili – anëtarë.

“Ndryshimi i opinionit ligjor që e kam bërë, që u heq Hilli, u heq pikërisht për shkaqe që i kam cek edhe të premten, nga presioni nga këshilltari ligjor i ministrit, Eset Berisha…”-  kishte thënë Kamerolli në seancën e 6 shkurtit të vitit 2023.

Për këtë pretendim, prokuroria kishte paraqitur si provë opinionet ligjore të lëshuar nga zyra ligjore e Ministrisë së Infrastrukturës.

Përmes opinionit të dytë, prokuroria pretendon se Pal Lekaj dhe Eset Berisha kanë bërë përpjekje për ta përgatitur bazën ligjore e cila do të arsyetonte veprimet inkriminuese të tyre për finalizimin e pagesës shtesë prej 53 milionë euro.

Prokuroria pretendon se Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së duke fshehur dhe mos paraqitur para anëtarëve të tjerë të këtij komitetit gjendjen reale, respektivisht opinionin e kompanisë “Hill International”, e duke i prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit të të njëjtës datë 01.06.2018, por që mbante numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enkës” për të iu paguar shuma prej 53 milionë eurove, ashtu siç kishin kërkuar.

Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro, më të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas prokurorisë, më aprovimin e pagesës prej 53 milionë euro, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.

Kështu prokuroria në përfundim se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Dënim maksimal të të akuzuarve në seancën kur janë dhënë fjalët përfundimtare kishte kërkuar Prokuroria Speciale, por që në aktakuzë prokuroria ka kërkuar dënimin plotësues për të pandehurit duke kërkuar nga Gjykata që urdhëroi të pandehurit që në mënyrë solidare të bëjnë kompensimin e humbjes apo dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, e që sipas aktakuzës dëmi monetar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit del të jetë 38 milionë euro.

Si dënim plotësues Prokuroria Speciale kishte kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike për të akuzuarit dhe kompensimin e dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës.

Pasi Prokuroria Speciale dorëzoi aktakuzën në Gjykatë, me 4 maj 2022, të akuzuarit u paraqitën në seancën e shqyrtimit fillestar, në të cilën që të katërt ishin deklaruar të pafajshëm.

Kujtojmë që ngritja e aktakuzës nga dy prokurorët special Atdhe Dema e Valdet Gashi ishte bërë pas 2 vite e 5 muaj pas kallëzimit penal që kishte bërë Policia e Kosovës më 4 korrik të vitit 2019.

Në këtë kallëzimin penal, fillimisht si të dyshuar ishin dy ish-krerët e ministrisë së infrastrukturës, Lutfi Zharku, e tashmë i akuzuari Pal Lekaj dhe këshilltari politik i Lekajt, Eset Berisha për ushtrim ndikimi.

Zyrtarisht hetimet prokuroria i kishte filluar me 7 gusht të vitit 2019 për Zharkun, Lekajn e Berishën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje e për ushtrim ndikimi.

Pesë muaj më vonë hetimet ishin zgjeruar edhe për sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrin dhe për Besim Tahirin i cili në atë kohë mbante pozitën e drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës. Tahiri sipas aktakuzës së prokurorisë ishte i paarritshëm për t’u marrë në pyetje pasi që i njëjti qëllimisht ishte duke ju shmangur ftesave të prokurorisë duke e konsideruar këtë si përpjekje të tij për t’u shmangur nga organet e drejtësisë.

Prokuroria kishte pushuar hetimet në mungesë të provave për të ish-ministrin Lutfi Zharku, duke u arsyetuar se nuk konsumohen elementet e veprës penale për të cilat kishin filluar hetimet.

Aktakuza tutje ishte kurorëzuar me vetëm katër të akuzuar.

Pas kësaj faze procesi gjyqësor vazhdoi në mënyrë të rregullt me dëgjimin e dëshmitarëve dhe me administrimin e provave të tjera për të cilat prokuroria është e bindur që do të faktojnë që të akuzuarit kanë kryer veprat që ju bien në barrë.

Çka deklaruan dëshmitarët e tjerë në procesin Gjyqësor ndaj Lekajt dhe të tjerëve?

Një numër i konsideruar i dëshmitarëve ishin dëgjuar në këtë rast, të propozuar si nga Prokuroria, nga të akuzuarit dhe kishte dëshmitarë të ftuar edhe nga ana e gjykatës.

Si dëshmitarë të prokurorisë në aktakuzën 44 faqe, ishin propozuar 10 sosh, ndër ta, drejtori i zyrës ligjore, Avdi Kamerolli, pronari i kompanisë mbikqyrëse “Hill International”, Georgius Oapaioannou, anëtarja e Komitetit Drejtues Ndërministror, Albena Reshitaj, ish-ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, ish-ministri i financave Bedri Hamza, dhe ish-ministri tjetër, Lutfi Zharku.

Mbrojta e Pal Lekajt kishte kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit të ftohej, ish-kryeministri i Kosovës në kohën kur ishte kryer pagesa në vlerë prej 53 milionë euro, Ramush Haradinaj.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte deklaruar në gjykatë se në rast që nuk paguheshin 53 milionë euro kompanisë “Bechtel & Enka”, rasti do përfundonte në arbitrazh.

“Kërcënimi ka qenë se rruga mbetet në shtylla dhe do të takohemi në arbitrazh. Në formë të shkruar jo, qëndrimi gojor ka qenë që nëse nuk arrihet marrëveshja, do ta merrni shkresën, jo si kërcenim por si të paditur” – kishte thënë Haradinaj në seancën e 29 shtatorit të vitit 2023.

Përfaqësuesi i kompanisë mbikëqyrëse “ Hill International, Georgius Oapaioannou kishte folur lidhur me opsionin që kompania mbikëqyrëse kishte përpiluar në vitin 2017.

“Meqenëse ne nuk kemi qenë pjesë e diskutimeve për vendimin që është marrë për 53 milionë, ne nuk kemi sot të dhëna nëse 53 milionë kanë qenë të nevojshme apo jo, sepse në fund të fundit dikush duhet të vlerësoj rrezikun për mos pagesë” – kishte thënë dëshmitari i dëgjuar përmes video- linkut më 5 dhjetor të vitit 2023.

Zharku si dëshmitar i propozuar nga gjykata, kishte thënë se Qeveria e Kosovës nuk është dashtë që të lidhë marrëveshja në vlerë prej 53 milionë euro për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve.

Sipas tij këtë kosto ishte dashur ta përcaktoj “Hill International”.

“Jo, 53-milionshin jo, për arsye se menaxheri i kontratës (Hill International) është ai që e përcakton koston e saj” – kishte thënë Zharku në seancën e nëntorit të vitit 2023.

Dhënia e mbrojtjes së të akuzuarve

I akuzuari Lekaj kishte thënë se ai së bashku me të akuzuarit e tjerë do të akuzoheshin për mos veprim, në rast se nuk do të përmbushej detyrimi ndaj kompanisë Bechtel-Enka dhe rasti do të shkonte në arbitrazh.

“Me përgjegjësi të plotë morale po e them para qytetarëve, para këtij trupi gjykues, që sot po ky Pali bashkë me të akuzuarit, për mos veprim, do ishim para jush dhe me dëme tepër, tepër më të mëdha sepse nëse vetëm dikush e ka lexuar historiatin e Bechtelit, e shihni qartë se çfarë kompanie serioze është dhe i shihni qartë se sa arbitrazhe i ka fituar, Kroacinë – 70 milionë, Rumaninë përmbi 800 milionë dhe shumë vende të tjera”- kishte thënë Lekaj në seancën e 5 dhjetorit të vitit 2023.

Besim Tahiri mohoi që të ketë pasur rol në përcaktimin e shumës që do t’i paguhej ‘Bechtel-Enka’-s. Ai tha se s’kishte qenë detyrë e divizionit të prokurimit për realizimin e këtij projekti.

“Absolutisht jo, s’ka qenë as kompetencë, as detyrë e divizionit të prokurimit gjatë realizimit të këtij projekti ndërministror” – kishte thënë Tahiri gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në gjykatë.

Ndërsa i akuzuari Nebih Shatri kishte thënë se për nënshkrimin e marrëveshjes së shtatorit të vitit 2017, ishte konsultuar paraprakisht me Ramë Qupevën, i cili mbante pozitën e pjesëtarit të Njësisë për Implementimin e Projekteve.

Shatri kishte thënë se nuk kishte bërë kërkesë për një opinion ligjor për nënshkrimin e marrëveshjes, pasi që ekzistonte një opinion ligjor i vitit 2016, që ishte lëshuar në kohën e qeverisë së Isa Mustafës nga ish-drejtori i Departamentin Ligjor, Skender Gashi dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të zyrës ligjore të kryeministrit, Jeton Uruqi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast- LINK