Foto: KALLXO.com

Dëshmia e ish-drejtuesit të Njësisë për Implementimin e Projekteve për 53-milionëshin

Gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe tre të tjerëve, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri në rastin e 53-milionëshit ka vazhduar edhe sot në Gjykatën e Prishtinës.

Ramë Qupeva, në cilësinë e ish-drejtuesit të Njësisë për Implementimin e Projekteve (NJIP) është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit.

Qupeva, rrëfimin e tij për rastin në fjalë e filloi duke shpjeguar kontratat fikse, me të cilat lejohen punët shtesë apo punët e parashikuara në vlerë prej 10 përqind të vlerës së kontratës.

“Kontrata llampson, janë kontrata të cilat nuk janë tipike për projektet e ndërtimit të rrugëve në këto kontrata eliminohet rreziku i sasive të cilat mund të rriten gjatë implementimit të projektit  kontrata është fikse si pjese e kushteve të kontratës, lejohet punët shtesë apo punët e paparashikuar në vlerë prej 10 përqind të vlerës ë kontratës…” – tha Qupeva.

Tutje dëshmitari tregoi se nga kush janë kryer pagesat e vlerës prej 53 milionë euro për kompaninë Bechtel-Enka.

“Pagesat edhe certifikim dhe faturimi për vlerën e 53 milionëve është bo pas marrjes së vendimit nga Qeveria e Kosovës, para marrjes së këtij vendimi nuk jemi konsultuar NJIP, nuk është konsultuar nga ana e komitetit dhe nuk kemi marrë pjesë në vlerësimin e propozimit nga ana e bektelit lidhur me koston e zgjatjes së afatit” – tha në tutje dëshmitari.

Dëshmitari vazhdoi tutje duke treguar se në takime me kompaninë Hill, këta të fundit nuk kishin qenë të pajtimit për çështjen e 53 milionë eurove.

“Hill Internacional na kanë thanë në takime të rregullta që ata nuk kanë qenë të pajtimit me çështjen e 53 milionëshit”- vazhdoi tutje dëshmitari.

I njëjti tha që shuma e specifikuar nuk është pagesë për punët shtesë por është kosto që ka rrjedhur nga mospërmbushja e obligimit nga Qeveria e Kosovës.

“Te pjesa e pagesës, 53 milionëshi nuk është pagesa për punë shtesë është kosto e cila ka dalë si rezultat i mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale nga ana e Qeverise së Kosovës” – u deklarua Qupeva.

Qupeva tha që nuk ka pasur alokime të mjaftueshme për këtë projekt që të përfundohet brenda 42 muajve sikurse ka qenë e planifikuar në kontratë.

“Nuk ka pas alokime të majftueshme në mënyrë që projekti me perfundu brenda 42 muajve sikurse ka qenë i planifikuar me kontratë  për këtë arsye komiteti në kohen e ministrit Zharku në vitin 2015 ka qenë ai i cili ka kërkuar shtyrjen e afatit të kontratës deri në fund të vitit 2018, dhe si rrjedhojë e kontratës për shtyerje ka ardhë deri te propozimi për kosto që në kohën e ministrit Zharku ka qenë 14.7 milion euro” -ishte deklarimi i Qupevës.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Besnik Avdijaj por i njëjti ka rezultuar të jetë jashtë vendit për arsye personale.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.