Bajram Hasani dëshmon në gjykimin e Pal Lekajt dhe të tjerëve - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Pal Lekajt për rastin e 53 milionë eurove, ish-ministri Hasani tregon për ‘kërcënimin” që kishte bërë drejtori i “Bechtel & Enka”-s

Gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe tre të tjerëve, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri për rastin e 53-milionëshit, ka vazhduar edhe sot në Gjykatën e Prishtinës.

Në këtë proces sot ka dëshmuar ish-ministri  i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Hasani në kohën për të cilën flitet në aktakuzë ishte pjesë e komunitetit drejtues ndërministror.

Dëshmitari tha që në mbledhjen e komitetit, ku kishte marrë pjesë edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, nuk e di nëse ishte prezantuar ndonjë opinion ligjor i përgatitur nga kompania mbikëqyrëse “Hill International”.

“Nuk e di atë ditë a është shpërndarë në komitet, letër nuk kam pasë” – tha Hasani.

Ish-ministri tha që vendimmarrja për këtë transaksion është bërë në mbledhjen e Qeverisë, mbledhje e cila ka qenë e hapur dhe është votuar me konsensus të plotë.

“Po, natyrisht ka qenë i hapur për votim me konsensus të plotë, të gjithë ministrat kanë votuar pro këtij vendimi, të gjithë anëtarët e Qeverisë”- tha dëshmitari.

Vendimi nga Qeveria ishte marrë, sipas dëshmitarit, pas kërkesës së komitetit që rreth pagesës të vendosë një organ më i lartë.

“Ky komitet, sa më kujtohet, kemi pasë kompetenca ekzekutive që me vendosë rreth kësaj pagese, por në atë komitet kemi kërkuar, personalisht unë, që të ndërrohet vendimi, do të thotë të shkojë në Qeveri, për shkak të vlerës së madhe  të marrë vendim një organ me i lartë se ne” – tha tutje Hasani.

Si anëtar i komitetit bindja e tij ishte së në rast të mosrealizimit të kësaj pagese çështja do të shkojë në Arbitrazh dhe se në mënyrë decidive në mbledhje ishte thënë nga drejtori i “Bechtel & Enka”-s që në rast të mosrealizimi të kësaj pagese autostrada “Arbën Xhaferi” do të bllokohet për dhjetë vitet e ardhshme.

“Bindja ime në fund si anëtar i komitetit ishte se nëse ne nuk e realizojmë këtë pagesë, çështja do të shkojë në Arbitrash, na është thënë decidivisht nga drejtori i ‘Bechtel’-it se në rast që nuk realizohet kjo pagesë, do ta bllokojmë autostradën-rrugën ‘Arbën Xhaferi’ për 10 vitet e ardhshme në kontest gjyqësor”- tha dëshmitari.

Në këtë rast gjyqësor dje ishte dëgjuar në cilësi të dëshmitares deputetja e Kosovës, Albena Reshitaj.

Seancat e radhës do të mbahen më 15 dhe 16 maj.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel & Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro, e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.