Foto: KALLXO.com

53-milionëshi, Pal Lekaj jep mbrojtjen në Gjykatë, refuzon mbrojtjen në heshtje

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka filluar me dhënien e mbrojtjes në gjykimin lidhur me akuzat për ekzekutimin e pagesës prej 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel-Enka”, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Pos Lekajt në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe ish-zyrtarët e kësaj Ministrie, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Procesi gjyqësor tani ndodhet në fazën e dhënies së mbrojtjes.

Lekaj pas këshillimit me mbrojtësin Musa Damati u deklaruan se do vazhdojnë me dhënien e mbrojtjes në parashtrimin e pyetjeve nga të gjitha palët në procedurë, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale.

Lekaj deklaroi se kishte marrë pozitën si ministër i Infrastrukturës më 9 shtator 2017, me të kuptuar për problemet në implementimin e kontratës për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, menjëherë kishte dalë në terren për inspektim.

“Kur jam njoftuar me problemin ekzistues dhe rrezikun e ndërprerjes së kontratës kam dalur menjëherë në terren dhe kam parë që i tërë projekti që dikun 67 KM janë kanë për tri vite të ndërtuara vetëm 10 KM dhe një pjesë e trasesë që u kanë e hapur por që mund të them që as 25% të punës që është dashtë me u kry nuk janë kryer dhe jam bind që me të vërtetë ish-qeveria e Kosovës dhe MIE kanë dështuar në implementimin e kontratës”- tha Lekaj.

Lekaj tha se i është bërë e qartë nga kompania që ishte kontraktuar për ndërtimin e autostradës, se në rast se nuk vazhdohet kontrata kjo çështje do të shkojë në arbitrazh.

“Dhe ajo që kam komunikuar me Bechtel – Enkan më është bërë e qartë që nëse nuk vazhdohet kjo kontratë çështja për ta zgjidhur mos-pajtimin mes dy palëve do të thotë duhet të shkohet në arbitrazh të cilin e cakton edhe kontratën”- vazhdoi me dhënien e mbrojtjes Lekaj.

Lekaj përmendi raste të kompanisë Bechtel-Enka që kishte fituar me shtetet e rajonit në procedura të arbitrazhit, e këto shifra kapnin vlera qindra milionëshe.

I akuzuari Lekaj tha se ai së bashku me bashkë të akuzuarit e tjerë do të akuzoheshin për mos veprim, në rast se nuk do t`i përmbushej ai detyrim kompanisë Bechtel-Enka dhe rasti do të shkonte në arbitrazh.

“Me përgjegjësi të plotë morale po e them para qytetarëve, para këtij trupi gjykues, që sot po ky Pal {flet për vetën} bashkë me të akuzuarit, për mos veprim ishim para jush dhe me dëme tepër- tepër më të mëdha sepse nëse vetëm dikush e ka lexuar historiatin e Bechtelit e shini qartë se çfarë kompanie serioze është dhe i shini qartë se sa arbitrazhe i ka fituar, Kroacinë – 70 milionë, Rumaninë përmbi 800 milionë dhe shumë vende të tjera”- tha Lekaj.

Ish-ministri i infrastrukturës, përmendi vonesat në pagesa që ishin bërë nga qeveritë e kaluara deri në momentin kur ky i fundit e kishte marrë mandatin.

“Vonesa për vitin 2014 planifikimi ka qenë 70 milionë euro janë alokuar 55 milionë. Për vitin 2015 të planifikuara kanë qenë 2020 milionë, ndërsa janë alokuar 112 milionë. Për vitin 2016 janë kanë të planifikuara 205 milionë kurse janë alokuar 159,777,000 milionë”- tha Lekaj.

“Gjendja ka ndryshuar në vitin 2017, në fund të vitit meqë e kemi planifikuar edhe në bazë të punëve që janë kry kemi bo analizë buxhetore, kanë qenë të planifikuara 104 milionë, kurse janë paguar 179 milionë”- u deklarua i akuzuari.

I njëjti u deklarua në pyetjen e gjyqtares Violeta Namani se “a kishte qenë në njohuri për ekzistimin aneks-kontratës?”.

Lekaj tha se kishte njohuri që është diskutuar për aneks-kontratë por që nuk është miratuar asnjëherë.

Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë do vazhdojnë me dhënien e mbrojtjes në seancat e ardhshme kur pritet që t`iu jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të prokurorisë dhe gjykatës lidhur me këtë rast.

Përndryshe me të filluar seanca gjyqësore gjykata vendosi lidhur me parashtrimet e palëve në procedurë në lidhje me propozimet për administrim të provave materiale.

Kujtojmë që sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.