Seanca gjyqësore për "53-milionëshin", Foto: KALLXO.com

'Rasti i 53-milionëshit’, dëshmitari: Kisha presion për opinion ligjor nga këshilltari i ish-ministrit Pal Lekaj  

Në gjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, procesi gjyqësor ka vazhduar më dëgjimin e dëshmitarit, Avdi Kamerolli, i cili ishte dëgjuar edhe në seancën e 3 shkurtit të këtij viti.

Ish-ministri dhe tre zyrtarët e tjerë po akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit. duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëmin në vlerë prej 53 milion euro.

Dëshmitari i këtij rasti, Avdi Kamerolli përsëriti që presioni ndaj tij ishte bërë nga këshilltari i ministrit të atëkohshëm, Pal Lekajt, Eset Berisha.

“…ndryshimi i opinionit ligjor që e kom bo, që u hek Hilli, u hjek pikërisht për shkaqe që i kam cek edhe të premten, nga presioni nga këshilltari ligjor i ministrit, Eset Berisha…”- tha Kamerolli.

Tutje Kamerolli tregoi që të dy opinionet i kishte bërë nën presion, njërin në presion kohor e tjetrin në presion të të akuzuarit Berisha.

“Opinionin e parë, d.m.th. më datën një qershor faktikisht e kom deklaruar edhe pse nën presion kohor mënyrën tem e kam dhanë në opinion d.m.th. duke u bazuar në shkresat që i kam pas në dispozicion, ndërsa opinionin e dytë e kam dhanë nën ndikimin e të akuzuarit”- Vazhdoi Kamerolli.

Në pyetjen e të akuzuarit Berisha, se a është në pajtim me ligjin opinioni ligjor që dëshmitari e ka dhënë, ku ka konstatuar se vazhdimi i kontratës së datës 27 shator 2017 është bërë në përputhshmëri të plotë me Ligjin e prokurimit publik, “unë i kam treguar me datën 31 maj 2018 që çdo opinionin i imi që do të ipet do të jetë jo-meritor”- u përgjigj Kamerolli.

Ndërsa sa i përket pretendimit të të akuzuarit Berisha se ai së bashku me dëshmitarin kishin zhvilluar një bisedë, ku Kamerolli kishte thënë se nuk ka aftësi të mjaftueshme për dhënien e një opinioni ligjor, këtë gjë e demantoi vet dëshmitari.

“Jo nuk është e vërtetë aspak, për shkak se unë i posedoj kapacitetet e duhura për këtë çështje”- tha Kamerolli.

Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Nebih Shatri, Florent Latifi se sa i përket zgjatjes së afatit të kontratës në prokuroria, dëshmitari ka thënë që është në përputhje me Ligjin e prokurimit publik, “Po, unë mendoj se zgjatja e afatit, ka qenë e ligjshme, e njëjta është bazuar në shkresat që m’i kanë dërguar tjerët”- u përgjigj dëshmitari.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.

Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.