Pal Lekaj në gjyq - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për 53-milionëshin, të akuzuarit tregojnë për takimet me "Bechtel-Enka"-n

Eset Berisha dhe Besim Tahiri, të akuzuar lidhur me aferën e 53-milionëshit, sot kanë paraqitur mbrojtjen e tyre para Gjykatës së Prishtinës.

Të bashkakuzuar në këtë proces janë edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe Nebih Shatri, i cili ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Lekajt.

Eset Berisha dha mbrojtjen në cilësinë e ish-këshilltarit politik të Pal Lekajt, kurse Besim Tahiri si ushtrues i detyrës së drejtorit të Divizionit të prokurimit në Ministri.

Dy të akuzuarit shfrytëzuan të drejtën  e tyre për t’u deklaruar në pyetjet e trupit gjykues, i kryesuar nga Violeta Namani, avokatëve të tyre, prokurorit special, Valdet Gashi, si dhe të akuzuarve të tjerë në procedurë.

Berisha tha se nuk kishte pasur negociata me kompaninë “Bechtel-Enka” nga askush për dakordim të çmimit apo dakordim të vlerës së kontratës.

“Nuk ka pasur negociata me kompaninë ndërtuese ‘Bechtel-Enka’ nga askush. Anëtarët e komitetit drejtues në takimin e datës 5.4.2018 kanë caktuar nga një këshilltar të tyre të ministrave që të takohen me përfaqësuesit e kompanisë ndërtimore ‘Bechtel-Enka’ për të kuptuar detajet e kërkesës se tyre. Gjatë këtij takimi është elaboruar në hollësi sipas pikave të kërkesës të ‘Bechtel- Enka’-s edhe arsyeshmëria e secilës pikë. Ky takim nuk mund të quhet negocim apo bisedë për dakordim të çmimit apo dakordim të vlerës së kontratës”- deklaroi i akuzuari.

I njëjti insistoi se në këtë takim nuk ishte diskutuar vlera e kërkesës por ishte arsyetuar vlera e kërkesës nga “Bechtel-Enka”.

Ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha tha se nuk kishte pranuar opinion nga përfaqësuesi i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve “Hill International”, Georgios Papaioannou.

“Jo, s’kam pranuar opinion nga ai, s’kam qenë kompetent me pranu shkresa”- vazhdoi Berisha.

Berisha ndër të tjera tregoi se kryeministri Ramush Haradinaj në atë kohë kishte kërkuar opinion ligjor nga Departamenti i zyrës ligjore i Ministrisë së Infrastrukturës.

Këtë lajm Berisha ia kishte dhënë drejtorit të Departamentit ligjor, Avdi Kamerolli.

Pasi përfundoi dhënien e mbrojtjes Berisha, radha i erdhi Besim Tahirit, i cili pohoi të kishte mbajtur postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Divizionit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës nga 20 prilli i vitit 2016 e deri më 10 tetor të vitit 2017.

Tahiri mohoi që të ketë pasur rol në përcaktimin e shumës që do t’i paguhej ‘Bechtel-Enka’-s. Ai tha se s’kishte qenë detyrë e divizionit të prokurimit për realizimin e këtij projekti.

“Absolutisht jo, s’ka qenë as kompetencë, as detyrë e divizionit të prokurimit gjatë realizimit të këtij projekti ndërministror”- tha Tahiri.

Tahiri shtoi se zgjatja e afatit të kontratës për përfundimin e punimeve ishte bërë pas vendimit të komitetit drejtues ndërministror më 20 qershor të vitit 2016 dhe sipas opinionit të kompanisë mbikëqyrëse.

Afati, sipas të akuzuarit, ishte zgjatur për 11 muaj e 13 ditë, gjë e cila nuk ishte kontestuese nga asnjëra palë. Sipas Tahirit, kontestuese ka qenë vetëm shuma e kërkesës financiare nga kompania punuese “Bechtel-Enka”.

“Kontestuese ka qenë shuma prej kërkesës financiare e ‘Bechtel’-it, e cila është lënë jashtë kësaj marrëveshje që të zgjidhet mes Qeverisë dhe ‘Bechtel’-it”- tha Tahiri.

Me përfundimin e mbrojtjes nga katër të akuzuarit, procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët në procedurë.

Kujtojmë që sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në dijeni që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 mijë euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se ish-ministri Pal Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel-Enka”, ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro, e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.