Rasti i 53 milionëshit – jep dëshminë përfaqësuesi i kompanisë mbikëqyrëse 'Hill International'

Në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës të hënën ka vazhduar gjykimi në çështjen ku akuzohet ish ministri i infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre zyrtarë të tjerë lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove.

Në këtë rast përveç Lekajt akuzohen edhe  Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Georgios Papaioannou si përfaqësues i kompanisë – “Hill International”  e cila ishte kompani mbikëqyrëse e projektit të autostradës “Arbën Xhaferi”. Dëgjimi i të njëjtit u bë përmes video-lidhjes pasi që ai nuk gjendej në Kosovë.

Gjatë dëshmisë së tij pyetje i parashtroi prokurori Special Atdhe Dema, si dhe mbrojtja e të akuzuarve.

Sipas Papaioannou Ministria e Infrastruturës e kishin kërkuar opinionin e Hill International për pagesat shtesë për zgjatjen e afatit të punimeve për autostratën që lidhë kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Lidhur me këtë kërkesë të kompanisë ndërtuese të autostradës “Bechtel & Enka” e cila e kishte paraqitur para Qeverisë së Kosovës, ku kërkohej shuma prej 53 milionë eurove, dëshmitari tha se vetëm pika e parë ka qenë bindëse ndërsa dy pikat e tjera nuk kanë qenë bindëse për vlerësimin e kompanisë Hill International.

Tutje, Papaioannou në dëshminë e tij e ka konfirmuar para gjykatës se në dhjetor të vitit 2017 kompania mbikëqyrëse në fjalë ishte dhënë opinion lidhur me shumën që ishte lejuar t`i jepej Bechtel & Enka, pra vlera prej mbi 14 milionë euro. Ndërkaq, vendimi për 53 milionë euro është marrë më 5 qershor të vitit 2018.

Sipas tij, ky opinion i është dorëzuar Ministrisë së Infrastrukturës më 21 dhjetor të vitit 2017 kurse deri pas marrjes së vendimit për pagesën prej 53 milionshit kompania Hill Intetnational nuk janë kontaktuar më.

“Vendimi i qeverisë që ka leju pagesen e 53 milionëve është marrë më 5 qershor 2018 e deri atëherë ne nuk jemi kontaktuar fare”- tha Papaioannou sipas interpretit të gjuhës angleze.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Pal Lekaj – avokatit Musa Damati, dëshmitari tha se qëllimi i pagesës prej 53 milionë euro nuk ka qenë mbulimi i deficitit.

Sipas tij qëllimi i kësaj shume ka qenë mbulimi i shumës së përgjithshme që Bechtel & Enka ka kriju për të përfunduar punët deri më 31 dhjetor të vitit 2018.

Dëshmitari ka thënë se lidhur me pagesën prej 53 milionë euro që ju kanë ekzekutuar Bechtel & Enka nuk mund të japin një vlerësim lidhur me faktin se a ka qenë apo jo e nevojshme një pagesë e kësaj shume duke marrë për bazë faktin se të njejtit nuk kanë marrë pjesë në diskutimet që janë zhvilluar mes palëve

“Meqenëse ne nuk kemi qenë pjesë e diskutimeve për vendimin që është marrë për 53 milionë ne nuk kemi sot të dhëna nëse 53 milionë kanë qenë të nevojshme apo jo sepse në fund të fundit dikush duhet të vlerësoj rrezikun për mos pagesë”- tha dëshmitari.

Ky rast është duke u gjykuar në departamentin special të gjykatës së Prishinës, nga kryetarja e trupit Gjykues, Violeta Namani.

Kujtojmë që sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.