Afera e 53-milionë eurove, i akuzuari arsyeton pagesën e kësaj shume
Në gjykimin e ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerëve, të akuzuar për 53 milionë eurot që i ishin dhënë kompanisë “Bechtel-Enka” sot ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Nebih Shatri.
Shatri në atë kohë ka qenë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës.
Prokuroria Speciale po pretendon se të pandehurit ndonëse kanë qenë në dijeni që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 mijë euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.
I akuzuari Shatri tha se për nënshkrimin e marrëveshjes së shtatorit të vitit 2017 ishte konsultuar paraprakisht me Ramë Qupevën, i cili mbante pozitën e pjesëtarit të njësisë për implementimin e projekteve.
Shatri tha se nuk kishte bërë kërkesë për një opinion ligjor për nënshkrimin e marrëveshjes, pasi që ekzistonte një opinion ligjor i vitit 2016, i cili ishte lëshuar në kohën e Qeverisë së Isa Mustafës nga ish-drejtori i departamentin ligjor, Skender Gashi dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të zyrës ligjore të kryeministrit, Jeton Uruqi.
Shatri u përgjigj në mënyrë mohuese në pyetjen e prokurorit Atdhe Dema nëse para se ta nënshkruanin marrëveshjen e kishte lexuar ndonjëherë opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” që konstaton si të lejueshme pagesën në vlerë prej 14 milion euro.
“Jo, s’e kam lexu asnjëherë”- u përgjigj Shatri.
I njëjti tha se nuk kishte qenë asnjëherë nën presion ose të jetë ndikuar nga ndokush.
“Nuk mundet me më ndërhy dikush se çka me bo”- tha Shatri.
Shatri në dakordim me avokatin e tij ishte dakorduar që t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të Gjykatës dhe Prokurorisë. Kështu ai u ballafaqua edhe me pyetje nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, e cila ndër të tjera e pyeti se pse s’e kishte bërë pa kosto ish-ministri Lutfi Zharku zgjatjen e afatit për punime.
I akuzuari u përgjigj se “s’i ka konvenuar”.
Kështu gjyqtarja Namani përsëri e pyeti duke i thënë Shatrit a do të thotë kjo “që në Qeverinë e juaj ju ka konvenuar lidhja e marrëveshjes për zgjatjen e afatit të punimeve?”.
I akuzuari tha se as këtyre (Qeverisë ku ai bënte pjesë), nuk u ka konvenuar lidhja e një marrëveshjeje pa kosto, por se situata në të cilën gjendeshin këta ishte më e vështirë pasi ose duhej vazhduar ose duhej ndërprerë punimet.
Për fund i akuzuari kishte për të shtuar diçka lidhur me pretendimet e Prokurorisë.
“Vetëm një diçka, nuk është bo nënshkrimi ose zgjatja e afatit për m’i bo dëm vendit por për me i ndihmu vendit” -tha I akuzuari Shatri.
Me këtë fjali i njëjti përmbylli fazën e dhënies së mbrojtjes, duke ia lëshuar rendin të akuzuarit tjetër Eset Berisha, i cili pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë edhe nesër.
Kujtojmë që sipas PSRK-së ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 mijë euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.
Aktakuza thotë se ish-ministri Pal Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel-Enka”, ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.