Seanca fillestare ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve në rastin e '53 milionëshit' - 04.05.2022

Afera e ’53 milionëshit’, Lekaj dhe të tjerët deklarohen për fajësinë

Ish ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe zyrtarët tjerë të kësaj ministrise, Eset Berisha, Nebi Shatri dhe Besim Tahiri, nuk e kanë pranuar fajësinë për aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtarë për rastin e ‘53 milionëshit’ me kompaninë “Bechtel&Enka”.

Lekaj në seancën fillestare para trupit gjykues tha se e kupton aktakuzën dhe se për të ndjehet “I pafajshëm”.

Ndërsa zyrtari Nebi Shatri tha që në kohën për të cilën akuzohet nuk ka qenë sekretar i Ministrisë por vetëm ushtrues detyre.

“Jo vetëm unë nuk kam qenë sekretar, por ushtrues detyre i sekretarit, i pafajshëm”, tha ai.

I akuzuari Eset Berisha kërkoi të dijë se me cilat dispozita ka rënë ndesh.

“Deri diku, për shkak se nuk e dëgjova prokurorin duke përmendur ndonjë dispozitë të rregullores për fushat administrative, kisha dashtë me dite cilën dispozitë unë kam ra ndesh, përndryshe unë e ndjej vetën plotësisht të pafajshëm”, tha ai.

I akuzuari tjetër Besim Tahiri tha se e kupton aktakuzën dhe se ndjehet “Plotësisht i pafajshëm” për të.

Të akuzuarit kanë të drejtë që brenda 30 ditëve ta kundërshtojnë aktakuzën e ngritur.

Më 17 qershor 2002, në ora 10 pritet të mbahet seanca e shqyrtimit të dytë.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

 

 

Afera e 53-milionëshit, Pal Lekaj dhe të tjerët nesër para drejtësisë