Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve po vazhdon i mbyllur për publikun

Në një seancë të mbyllur në Dhomat e Specializuara (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 27-të, ka nisur të japë dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe të akuzuarve të tjerë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dëshmitari 27-të ka vijuar pas përfundimit të dëshmive të dëshmitarit të 26-të, i njohur me kodin 4644, në një seancë të filluar më herët.

Ky dëshmitar i është përgjigjur pyetjeve të ekipit mbrojtës të Selimit, që udhëhiqet nga avokati Eric Tully. Dëshmitari kishte nisur dëshminë e tij në seancën e kaluar, duke u përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe avokatëve të viktimave.

Gjithashtu, pritet që ekipet mbrojtëse të të akuzuarve të vazhdojnë me pyetje kundër tij gjatë ditës së sotme.

Seanca e sotme është zhvilluar në privatësi nën kërkesën e avokatit Eric Tully.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 141 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.