Dedaj Prokurorisë në Hagë: 'Mos ma përmendni rrahjen, se po më ofendon'

Për një kacafytje që kishte ndodhur siç thotë Gjergj Dedaj, para 25 vitesh ka qenë një inicident dhe jo në rrahje.

Ai këtë e tha gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Për këtë, ai tha se kishte qenë një incident i vogël dhe kërkoi nga prokuroria e specializuar të mos i referohej si rrahje.

“Mos e përdorni më fjalën rrahje, se po më ofendon mua, familjen time, nipërit, mbesat, fëmijët, shoqen, miqtë e mi”- i tha Dedaj prokurorisë.

Ai tha se ka disa burra në Kosovë që nuk mund të rrahen, por vetëm të vriten.

Kurse, gjatë dëshmisë së tij ai pati një kërkesë të pazakonshme për prokurorinë.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, kërkoi nga prokuroria t’ia blenin një arkivol, dhe ta kthenin në Prishtinë.
“Kam dëshirë ju me m’a ble një arkivol, dhe me më kthy në Prishtinë”- tha ai.

Gjatë dëshmisë së tij ai përmendi se lëndimet e vetme që i kishte marrë kishin qenë nga Serbia.

Kurse incidenti i lartpërmendur tha se kishte qenë minor në krahasim me atë çka kishte ndodhur në luftën e Kosovës.

Këtë incident, ai tha se e kishin keqpërdorur mediat, dhe dëmi i vetëm që kishte pësuar kishte qenë ai moral e shpirtëror.

Dedaj tha se ishte distancuar nga deklarimet e tij të mëparshme, sipas një letre që ai e tregoi se i’a kishte dërguar gjykatës, duke e quajtur këtë gjykatë politike e anti-shqiptare.

Dedaj ka shtuar se ishte ndaluar në 1998-n në fshatin Qirez të Skenderajt, por më pas është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “është heroike dhe ndër ushtritë më të pastra në historinë botërore”.

Dedaj mes tjerash ka treguar se është shkarkuar nga detyra e ambasadorit nga presidentja e vendit, ndërsa në vend të tij është emëruar burri i presidentes, Vjosa Osmani

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.