Dedaj në Gjykatën Speciale - 'Kacafytja ka qenë shumë e shpejtë si rrufe'

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj është duke vazhduar dëshminë  e tij duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorisë së Gjykatës Speciale në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai rrëfeu momentin kur kishte ndodhur një “kacafytje” kur kishte qenë shef i delegacionit.

Sipas tij kjo kacafytje kishte zgjatur më së shumti 1 minutë e 30 sekonda.

“Më shumë do të kisha dashur të më ndodhte mua diçka e keqe, eventualilsht nëse do të ndodhte sesa shokëve të mi”- tha Dedaj mes tjerash në dëshminë e tij.

Në këtë dëshmi ai foli edhe për largimin e tij nga detyra e ambasadorit për të cilën tha se ishte shkarkuar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga presidentja Osmani. Dedaj në Hagë: Presidentja Vjosa më shkarkoi nga detyra ambasadorit dhe në vend meje e dërgoi burrin e saj.

 Dedaj sot deklaroi se ka shërbyer në disa poste publike, përfshirë deputet, ministër, dhe ambasador.
“Gjatë luftës në radhë të parë kam qenë organizator i të gjitha demonstratve kundër kriminelit dhe kasapit të ballkanit, Millosheviq. Kam organizuar në Prishtinë 60 demonstrata që iu kam pri në vitin ’98, për me mujt me senzibilizu çështjen e kosovës, që të solidarizohem me Ushtrinë Clirimtarë të  Kosovës, me u solidarizu dhe me NATO-n që të intervenojë në Kosovë që ta shëptojë popullin e pafajshëm dhe civilë ndaj të cilëve ushtrohej një dhunë e paparë”- deklaroi Dedaj.

Gjergj Dedaj më tej informoi se në vitin 1998, janë organizuar një palë zgjedhje ku është themeluar Partia Liberale e Kosovës dhe ata kanë siguruar 6 vende në Kuvendin e Kosovës, ku ai u zgjodh si një nga zëvendëskryetarët e Kuvendit të asaj kohe.

Ai gjithashtu përmendi postet e tjera që ka mbajtur, duke theksuar se në vitin 2004 u zgjodh në Kuvendin e Kosovës si deputet, më pas është bërë pjesë e Këshillit Tranzitor të Kosovës, ka shërbyer si zëvendësministër dhe, në fund ka qenë si zëvendësministër i Jashtëm dhe ambasador i Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu theksoi se u largua nga detyra e tij si amasador në mënyrë të dhunshme dhe politike.

“Më së mrami kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam largu dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuqujtuara presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj dhe në bashkëpunim me ambasadën Turke në Shkup më ka largu nga pozita ambadorit”- ka thënë Dedaj.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.