Dedaj në Hagë: Lëndimet e jetës sime janë vetëm lëndimet që i kam marr nga Serbia

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është shprehur se të vetmet lëndime që ka pësuar në jetën e tij janë ato të shkaktuara nga Serbia.

Në dëshmin e tij në Hagë, Dedaj u pyet në lidhje me trajtimin nga UÇK-ja, por ai mohoi të ketë pasur ndonjë incident të tillë.

“Ju ndoshta nuk po më besoni por lëndimet e vetme të jetës sime kanë qenë lëndimet që i kam marr nga Serbia”- tha ai.

Prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me një deklaratë të tij të vitit 2014, ku sipas Prokurorisë Dedaj kishte deklaruar se Sokol Blakaj kishte lëndime në fytyrë dhe se ai vetë, Gjergj Dedaj, ishte detyruar të nënshkruante një deklaratë në të cilën thuhej se “Rugova është tradhtarë”.

“Nuk më kujtohet se e kam pas këtë pytje. Sa i përket asaj, personi numër një, ka qenë sipas mendimit tim shefi, që ka vendos gjithçka, ai gjithcka, ai ka urdhëru gjithçka. Ka fy presidentin Rugova, na ka fy edhe ne, udhëheqësit në Prishtinë dhe mendoj se ata të tjerët kanë qenë të pafuqishëm”- tha ai.

Dëshmitari më tej ka treguar se trajtimi që ka pësuar nga UÇK-ja në shkollën në Baicë përfshinte vetëm aspektin emocional dhe moral.

“Unë kam pësuar vetëm lëndimë shpirtërore dhe morale sepse nuk është dashur të na nalin. Personi numër 1 ka qenë kategorik që ka insistuar me na nalë e legjitimu. Nuk kam pa te UÇK-ja aty se ka ndonjë strukturë udhëheqëse, gati secili ka vepru krye në vete dhe i ka keqpërdorë ndoshta dhe emrat e të tjerëve liderëve të UÇK-së kanë bë hakmarrje të caktuar”- tha dëshmitari Dedaj.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.