Dedaj në Hagë - 'Pendohet' për një pjesë të dëshmisë të pasluftës

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është ‘penduar’ për një pjesë të dëshmive dhe deklaratave që i ka dhënë pasluftës.

“90% të këtyre deklaratave që i kam bo pas luftës, dmth nuk kam qenë normal dhe në gjendje me thanë të vërtetën… Jeta jonë s’ka vleftë edhe sot që jam këtu thash jam kufomë s`kam asnjë vleftë”- tha Dedaj.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

I pyetur nëse i kujtohet që në fund të dëshmisë së tij ai është betuar dhe ka nënshkruar dëshminë e tij pa asnjë kundërshtim, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet nëse është pyetur për betim e nënshkrim.

“Askush s’më ka pyt për betim, as që kam dhanë asnjë betim. Aty ku është nënshkrimi im edhe m`u rrotllu bota unë e them që është nënshkrimi im, por nuk e mohoj me asnjë çmim”- tha dëshmitari.

Të hënën para Dhomave të Specializuara Dedaj ka thënë se në shumicën e dëshmive nuk ka qenë në gjendje të mirë psikike.

“Momenti gjendja zhvillimet, situata familjare kur jam marr në pytje në 90% të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë… Jam kufomë, s’kam asnjë vlerë. Nuk e di pse jam gjallë, unë nuk ligshtohem, jam i guximshëm dhe jam i përgatitur për të dhënë jetën”- ka deklaruar Dedaj.

Dedaj ka shtuar se ishte ndaluar në 1998-n në fshatin Qirez të Skenderajt, por më pas është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “është heroike dhe ndër ushtritë më të pastra në historinë botërore”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.