Prokuroria: Gucati dhe Haradinaj vepruan me dashje

Në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes, prokurori i çështjes Mathew Howling ka thënë se veprimet e të akuzuarve lidhur me dokumentet – dosjet ishin të qëllimshme.

Sipas prokurorisë, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Prokurori Mathew Howling në fjalën përfundimtare ka deklaruar se të akuzuarit kanë vepruar dhe kanë publikuar me dashje emrat e dëshmitarëve.

“Ata e dëshironin kryerjen e këtyre krimeve, me dijeninë se çka do të ndodh kur të bënin këtë dhe kjo dijeni do të ishte një aspekt i arsyeshëm i sigurisë. Çka kam shpjeguar këtu është dashje e drejtpërdrejtë sipas Kodit Penal të Kosovës”, ka cituar prokurori.

Sipas prokurorit Howling, mbrojtja tashmë nuk po mund ta argumentoj këtë çështje.

“Deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes shumë qartë duan të zgjedhin gjithçka tjetër, por jo dhe këtë çështje gjyqësore. Provat janë pranuar, këto janë deklaratat përmbyllëse, kjo është koha për të diskutuar se çfarë kanë bërë dhe nuk kanë bërë të akuzuarit dhe që t’i përgjigjemi argumenteve të fundit që ka bërë mbrojtja kërkon t’i kthehemi fokusimit te kjo çështje konkrete”, ka deklaruar prokurori.

Tutje ai ka thënë se argumentet e mbrojtjes bazohen në një fill të vetëm dhe nëse pritet ky fill bien argumentet tjera.

“Emrat ishin të mbrojtur dhe është gabim të përmendet se prokuroria nuk ishte e aftë të mbronte dëshmitarët e saj tregon një dijeni të plotë se çka ndodh kur jepen emrat. Haradinaj thotë se ZPS-ja nuk i mbrojti as dëshmitarët që u kanë dhënë mbrojtje e me këto pohime të të akuzuarve vërtetohen se kanë kryer krimet”, ka cituar prokurori.

Mathew Howling  tutje ka shtuar se kundërshtimi i mbrojtjes nuk qëndronte me faktin e bërjes së emrave publik.

“Ata i publikuan emrat, i bënë publik, duke i lënë dokumentet të paredaktuara dhe mbrojtura për gazetarët, “persona publik”, këto i nxorën emrat për të gjithë botën për t’i parë dhe kjo nuk ishte vetëm për thënien me zë të tyre, ishte për komunikimin e këtyre emrave dhe disa prej këtyre emrave u thanë me gojë”, ka deklaruar Howling.

Prokurori ka konsideruar se të akuzuarit kanë paralajmëruar dhe shpërndanë informacion konfidencial dhe kanë bërë emra publik.

“Ata thanë që identitetet e të gjithë atyre që bashkëpunuan me ZPS dhe TFHS do të bëheshin publik”, sqaroi prokurori.

Ai ka folur edhe për dëshminë e një punonjësi të ZPS-së, Miro Jukiq, të cilën e pati kontestuar mbrojtja. Sipas prokurorit, dëshmia e Jukiq duhej besuar duke theksuar deklaratat e tij se një numër i dëshmitarëve janë frikësuar dhe kanë kërkuar zhvendosje nga Kosova

“Nuk ka arsye për të mos besuar atë që tha zotëri Jukiq. Është historia që dikush thotë se nuk ndjehet fare i sigurt dhe që atij mund t’i ndodh çdo gjë, është historia e dikujt që ishte në panik dhe që kishte frikë të shkonte në punë, dikush kishte sulme paniku kaq të rënda sa që kishte përfunduar në spital dhe ishte shkaktuar një stres i jashtëzakonshëm për shkak të dokumenteve që kishin rrjedhur nga media”, ka thënë prokurori.

Howling në vijim të gjykimit ka diskutuar edhe për çështjen e dashjes apo qëllimit në veprimet e të akuzuarve.

“Kjo varet nga kjo kundërshti themelore, gjërat që besonin ata nga koha para juridiksionit kohor të këtij gjyqi dhe gjatë gjithë kohës deri në dhënien e dëshmisë së atyre informojnë gjendjen e tyre mendore gjatë kohës kur ata i bëjnë emrat publik. Ata e bënë të qartë synimin e tyre për të penguar punën e kësaj gjykatë në mënyrë që nuk kishin menduar dy herë kur i bën emrat publik dhe thanë se ZPS kishte gënjyer dëshmitarët kur u kishte thënë se do të mbronin sekretet e tyre”, ka përfunduar prokurori.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Gucati e Haradinaj akuzohen se së bashku me persona tjerë organizuan dhe  shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së po ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë nga 25 shtatori i vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK