Seancat e mbyllura në Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës rrisin mosbesimin

Pas një muaj seancash në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë, të cilat kryesisht kanë qenë të mbyllura për publikun, ekspertët paralajmëruan se kjo do të rrisë dyshimet për gjykatën e krimeve të luftës në Kosovë.

Dhjetë seancat e para gjyqësore të vitit 2024 në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë bashkë me të në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u mbajtën pothuajse plotësisht në seanca të mbyllura.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka sqaruar se për çfarë kanë dëshmuar pesë dëshmitarët që janë dëgjuar gjatë kësaj periudhe, por as publiku dhe as gazetarët nuk kanë pasur mundësi që t’i ndjekin vetë dëshmitarët.

Seancat e mbyllura thjesht kanë nxitur akuzat e kahershme të kritikëve brenda Kosovës se gjykatës i mungon transparenca, thonë ekspertët për BIRN.

Eksperti ligjor me bazë në Kosovë, Amer Alija, tha për BIRN se nga fillimi i gjyqit në prill 2023 deri në fund të janarit 2024, kohë gjatë së cilës 44 dëshmitarë kanë dëshmuar në gjykatë, “rreth 60 për qind e dëshmitarëve të dëgjuar dëshmuan në seanca të mbyllura për publikun”.

Më 7 nëntor 2023, gjyqtarët lëshuan një urdhër me gojë që synonte të siguronte një publicitet më të madh për procedurat. Ai ishte një vazhdim i një urdhri të mëparshëm që udhëzonte prokurorinë dhe mbrojtjen që të përpiqeshin t’i bënin procedimet më publike “duke pasur parasysh numrin e seancave private ose të mbyllura”.

Kur kërkojnë që dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur ose informacioni konfidencial të redaktohet nga dokumentet e disponueshme publikisht, prokuroria dhe mbrojtja “duhet të kenë parasysh nevojën për të garantuar sasinë më të madhe të publicitetit, duke garantuar gjithashtu mbrojtjen efektive të atyre të cilëve u janë dhënë masa mbrojtëse”- u tha në një konferencë të mëvonshme për shtyp nga gjykata.

Megjithatë, pas më shumë se dy muajsh, situata nuk ka ndryshuar.

Alija tha se mendonte se urdhri i gjyqtarëve “nuk ishte një urdhër i rreptë se seancat tani e tutje do të mbaheshin patjetër publike”.

Seancat e shpeshta të mbyllura dhe mungesa e monitoruesve të pavarur në sallën e gjyqit nuk lejon mbikëqyrje dhe raportim të vazhdueshëm publik të gjykatës, duke shtuar mungesën e besimit në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mesin e njerëzve në Kosovë që tashmë kanë dyshimet e tyre në lidhje me motivet e gjykatës, paralajmëruan ekspertët.

Dhomat e Specializuara u krijuan për të gjykuar krimet që dyshohet se u kryen nga luftëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe me personel ndërkombëtar.

Ato u krijuan nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë i Kosovës nuk ishte mjaftueshëm i fuqishëm për të gjykuar rastet e lidhura me UÇK-në dhe për të mbrojtur dëshmitarët nga ndërhyrja. Por Gjykatë Speciale nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.

Abit Hoxha, asistent profesor i medias dhe konfliktit me origjinë nga Kosova në Universitetin e Agderit në Norvegji, tha për BIRN se ka “një shkallë mosbesimi brenda publikut që vjen me mandatin e kësaj gjykate dhe mënyrën se si ajo u krijua”.

“Mungesa e transparencës e procesit çon në një narrativë mospranimi të ndonjë vendimi të gjykatës, që më pas shkakton problem për legjitimitetin e kësaj gjykate”- shtoi Hoxha.

“Problemi kryesor është se shumica në Kosovë beson se gjykata nuk ka legjitimitet, pavarësisht se është miratuar nga parlamenti”- theksoi ai.

Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht mungesës së përgjithshme të besimit ndaj Dhomave të Specializuara, asnjë qytetar i Kosovës nuk është përpjekur t’i shmangë akuzat ndaj tyre të ngritura nga gjykata.

Pesë dëshmitarët e parë të rinj të vitit 2024 – dëshmitarët 40 deri në 44 në gjyq – dëshmuan me dyer të mbyllura për rolin e luajtur nga kreu politik i UÇK-së gjatë kohës së luftës, Thaçi, si dhe për vrasjet e supozuara nga ish-luftëtarët e UÇK-së, sipas prokurorisë. Pretendimet e tyre nuk mundën të dëgjoheshin nga publiku.

I vetmi dëshmitar që dëshmoi në seancat e hapura në janar ishte dëshmitari i 39-të, serbi Dejan Jeftiq, i cili vazhdoi dëshminë që filloi të jepte në dhjetor, duke i thënë gjykatës se ai dhe dy nga të afërmit e tij ishin rrëmbyer dhe keqtrajtuar nga anëtarët e UÇK-së.

Alija tha se për shkak se procesi gjyqësor shpesh nuk është publik, “publiku e ka të vështirë të krijojë një opinion objektiv në lidhje me vendimin përfundimtar”.

“Gjykata duhet të kujdeset që kur dëgjohen dëshmitarët e mbrojtur të redaktohet vetëm dëshmia që mund të zbulojë identitetin e dëshmitarit, por jo e gjithë dëshmia, pasi me redaktim të madh të seancave gjyqësore cenohet parimi i publicitetit”- ai shtoi.

Michael Doyle, zv/zëdhënës në Dhomat e Specializuara, tha për BIRN se trupi gjykues vendos nëse procedurat gjyqësore mbahen “në seancë private apo të mbyllur… rast pas rasti, dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave”.

Ai këmbënguli që gjyqtarët e gjykatës “mbeten të përkushtuar për të bërë sa më shumë informacion publik të jetë e mundur duke mbrojtur dëshmitarët”.

Sipas Doyle, “që nga fillimi i nëntorit 2023, në dy gjyqet në vazhdim në Dhomat e Specializuara, shtatë dëshmitarë kanë dëshmuar në seanca kryesisht të mbyllura, ndërsa 12 dëshmitarë kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse, me identitetin e tyre të njohur dhe shumicën e dëshmisë së tyre të bërë publike”. Gjyqi i dytë për krime lufte në gjykatë është rasti kundër ish-anëtarit të UÇK-së Pjetër Shala.

Mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë prej kohësh një shqetësim kryesor për Dhomat e Specializuara pas incidenteve të manipulimit të dëshmitarëve në gjyqet e mëparshme ndaj luftëtarëve të UÇK-së në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Doyle vuri në dukje se gjykata “po merret me një numër rastesh në faza të ndryshme të procesit ku individë janë akuzuar ose janë dënuar për kanosje të dëshmitarëve”.

Dhomat e Specializuar tashmë kanë dënuar kreun e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, dhe zëvendësin e tij, Nasim Haradinaj, për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.

Prokuroria gjithashtu akuzoi Thaçin dhe Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për përpjekje për të ndërhyrë te dëshmitarët, gjë që ata e mohuan. Akuzat çuan në vendosjen e kufizimeve në vizitat dhe telefonatat e tyre, të cilat Këshilli i Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i përshkroi si një përpjekje për të “dënuar” të pandehurit, duke treguar një shpërfillje të të drejtave të njeriut.

Hoxha pranoi se vetë Kosova nuk ka qenë në gjendje t’i mbrojë dëshmitarët, por argumentoi se ky nuk është dështim vetëm i Kosovës, por i sistemit ndërkombëtar të drejtësisë, pasi ai nuk ka arritur të ofrojë mbrojtje më të mirë për dëshmitarët.

“Nëse prokuroria nuk është në gjendje të ofrojë mbrojtje për një dëshmitar, si mund të kesh besim tek ajo?”- pyeti ai.

“Kjo prokurori përfaqëson gjithashtu institucionet e Bashkimit Evropian, por nuk mund të ofrojë siguri në një vend (Kosovë) që është sponsorizuar nga BE-ja për 25 vjet – është një dështim i gjithë komunitetit ndërkombëtar kur bëhet fjalë për drejtësinë”- shtoi ai.

Me dyer të mbyllura: Dëshmitarët e janarit

Prokuroria dha detaje të përgjithshme paraprakisht për dëshmitë e dhëna në seancat e mbyllura nga dëshmitarët 40 deri në 44 në janar.

Ajo tha se dëshmitari numër 40 do të dëshmonte për strukturën e UÇK-së dhe marrëdhëniet e saj me Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, FARK. Sipas prokurorisë, dëshmitari do të pretendonte se Thaçi ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm brenda UÇK-së.

Ajo tha se dëshmitari numër 41 ishte një i afërm i dikujt që dyshohet se ishte vrarë nga UÇK-ja në zonën e Drenocit dhe do të dëshmonte për veprimet e viktimës para zhdukjes së tyre dhe për përpjekjet e familjes për të mësuar se çfarë ndodhi.

Dëshmitari numër 42 do të dëshmonte për rrëmbimin dhe ndalimin e tyre nga anëtarët e UÇK-së në Prizren në qershor të vitit 1999, sipas prokurorisë.

Ajo tha se dëshmitari numër 43 do të dëshmonte për vrasjen e një viktime në të ashtuquajturën Zonë Operative të Llapit të UÇK-së, pasi u ndalua nga luftëtarët.

Dëshmitari numër 44 filloi të jepte dëshminë e tij më 30 janar dhe ka vazhduar deri në shkurt. Prokuroria tha se dëshmitari do të dëshmojë për vizitat e tij në selinë e UÇK-së dhe komandantët gueril me të cilët ka bashkëvepruar./BalkanInsight