Bastisja e Speciales, avokati: Sylejman Selimi nuk e ka statusin e personit të dyshuar

Gjykata Speciale më 07.03.2024, ka kryer bastisje në disa lokacione të Kosovës.

Një prej këtyre lokacioneve ishte edhe shtëpia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit. KALLXO.com qëndroi në vendin e ngjarjes.

Specialja bastis shtëpinë e Sylejman Selimit, Foto: KALLXO.com

Lidhur me këtë, në afërsi të vendit të bastisjes për media është prononcuar avokati i Selimit, Artan Qerkini.

Avokati Qerkini bëri të ditur se Selimi nuk është i dyshuar.

“Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar por sipas urdhrit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.”

Për më tepër, Qerkini aludoi mbi kundërligjshmërinë e urdhrit për kryerjen e kësaj bastisje.

“Ne i kemi disa vërejte në vetë urdhrin mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore e për më shumë i cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi me një urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar” – tha avokati Qerkini.

Ndërkaq, i njëjti dha detaje se për cilin rast bëhet fjalë.

“Prokuroria është në fazën e hetimeve, nuk jep detaje kështu që nuk kisha dashtë me spekulu se për cilin rast bëhet fjalë, mirëpo në momentin që një gjë e tillë të bëhet publike do të ju njoftojmë” – tha avokati.

Ndërkaq, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një postimi në Facebook, bastisjen tek shtëpia e Sylejman Selimit e ka quajtur “spektakël i radhës nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”.

“Siç po raportohet në media, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke kryer bastisje në Kosovë. Njëra prej tyre është në shtëpinë e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.  Edhe këto bastisje që po ndodhin sot, janë vetëm një spektakël i radhës nga ana e tyre”- shrkoi Klinaku.